Java e 16-të e Abissnet Superiore, me katër ndeshjet e luajtura fundjavën e kaluar, pasi e pesta, Kukësi-Dinamo do të luhet të mërkurën, janë analizuar nga specialist i futbollit, Shkëlqim Muça. Në rolin e të ftuarit të përhershëm të emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, Muça e cilësoi duelin e klasikes së futbollit shqiptar si ndeshjen më të mire të Vllaznisë, si dhe ndeshja më e dobët e Tiranës. “Ishte një ndeshje jo për Tiranën, një ndeshje shumë e mirë për Vllazninë. Shkodranët e kishin kuptuar shumë mirë se një humbje në këtë ndeshje mund ta nxirrte nga gara. Luajti shumë mirë, deri sa stafi u nxitua duke larguar lojtarin brazilian, Da Silva dhe ai që u aktivizua në vend të tij ishte më i dobti. Megjithatë, Vllaznia ishte shumë agresive, Tirana ishte e shuar. Shkodranët zhvilluan ndeshjen më të mirë që kanë bërë deri më sot. Tirana u shokua nga presioni i Vllaznisë dhe trajneri nuk mori masa, kishte lojtarë që ishin zero. Me pak fjalë, një nga ndeshjet më të dobta të Tiranës, një nga ndeshjet më të mira të Vllaznisë”, tha Muça.
Fitorja e Partizanit – “Partizani ishte shumë i karikuar, pavarësisht se në pjesën e parë nuk bëri shumë. Kishte një mobilizim, kishte dëshirë. Në cilësi nuk është se ka bërë shumë ndryshim, por kishte mobilizim. Ndryshe nga herët e tjera, tani të kuqtë paraqiteshin me shumë forca në sulm. Egnatia është një skuadër pa forcë, goditet shumë lehtë. Mendoj se do të ketë problem, më mirë luan jashtë se sa brenda”.
Kriza e Teutës – “Është në një moment të vështirë. Një skuadër që ka fituar kampionatin, nuk është më në atë nivel. Ka problem, është shumë e vështirë ta menaxhosh situatën. Është një skuadër që ka potencial, por duhet gjetur mënyra që të rregullosh problemet që janë krijuar, mungesën e pikëve. Duhet një menaxhim më i mirë i të gjithë faktorëve, nuk duhet braktisur skuadra. Mund të kalohet duke fituar tre apo katër ndeshje radhazi, i ka lojtarët”.
Laçi nuk kishte marshin e duhur – “Një ndeshje e barabartë, Laçi nuk kishte atë marshin e duhur për ta fituar ndeshjen. E ka grupin për të fituar ndeshjen, por ishte dhe meritë e Skënderbeut që jep gjithmonë maksimumin. Te kurbinasit ndoshta ndikuan dhe mungesat që kishin, por e them përsëri që nuk bëri shumë për të fituar”.