Tirana me hapa kampioni, mund edhe Skënderbeun. Vllaznia dorëzohet në Laç, Partizani bind përballë Teutës. Kastrioti fundos Dinamon, ndërsa Kukësi ringjallet me një fitore kundër Egnatias. Si gjithmonë, edhe në javën e 19-të të Abissnet Superiore nuk mungon analiza e Shkëlqim Muçës në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.
Loja e Tiranës – “Tirana ishte dominuese, por ndodh që të lëshosh dhe të pësosh gola. Gjithsesi, është një skuadër që funksionon. Lojtarët sakrifikojnë. Mund të ndodhë që ta kapësh në befasi, por rëndësi kanë tri pikët. Skënderbeu luan gjithmonë me dëshirë, por nuk ka cilësi, pëson edhe gola. Është një skuadër që nuk i bie përqëndrimi, duhet të tregojë më shumë kujdes taktikisht, duhet ta kuptojë se me kë luan”.
Mungesa e cinizmit te Vllaznia – “Vllaznia mendoja se do merte më shumë në këtë ndeshje, sepse Laçi kishte mungesa. Bëri lojën e saj, atë që bën gjithmonë, është një skuadër që sulmon, por te porta ka probleme, nuk është cinike. Krijon volum loje, por duhet dhe finalizimi. Laçi më befasoi, luajti më mirë se në ndeshjen me Partizanin, kishte dhe momente të mira për të shënuar. Të gjithë japin maksimumin. Rezultati më i drejtë mund të ishte barazimi, por… në futboll nuk ka rezultat të drejtë”.
Fitorja e Kukësit – “ Kukësi të jep shpresë, është një skuadër e organizuar mirë. Loja vjen nga poshtë, ka logjik, ka lojtarë që i përshtaten, lojtarë ekspert. Në 30 metrat e fundit mundohet të ketë shumë lojtar, pasi i mungonte lojtari tipik. Tani është Shkurtaj. Mendoj se do i vendosë në vështirësi skuadrat e kreut. Me Egnatian ishte detyrë për ta fituar, nuk e vunë asnjëherë në diskutim ndeshjen”.
Suksesi i të kuqve – “Me atë fillim që bëri, Partizani e meritoi. Mendoj se ka më shumë lëvizshmëri, sulmon me më shumë lojtarë. Skuka është një blerje e zgjuar. Tani ka mundësi, ka lojtarë, ka krijuar një frymë tjetër, ka dëshirë. Është një skuadër që ka bërë ndryshime, edhe në lojë, duhet të luftojë shumë për të kapur Kupat e Europës. Teuta është një skuadër pa forcë, pëson gola me shumë lehtësi. Me një mbrojtje të tillë do ketë gjithmonë probleme”.
Kastrioti “fundos” Dinamon – “Dinamo edhe mund të kishte goditur, mund ta kishte bërë më të lehtë. Por në pjesën e dytë Kastrioti dominoi, e meritoi fitoren, bëri një ndeshje dinjitoze. Ka grint, ka karakter, luan fortë, do të jetë një fushë e vështirë për të gjitha skuadrat”.