Friday, September 20, 2024

Josa “shkund” kuqeblutë, kërkon rritje të moralit për ndeshjet e mbetura. Presidenca ndjek prej së afërmi përgatitjet anti-Egnatia

Lexo

Ashtu siç ishte paralajmëruar, pasditja e së martës ka shënuar fillimin e përgatitjeve të Vllaznisë nën drejtimin e trajnerit të ri, Mirel Josa. Në fakt, prezantimin e parë me skuadrën, Josa e ka bërë po pasditen e djeshme në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”, ndërkohë që pas një analize të shkurtër, skuada është zhvendosur në kompleksin sportiv “Hasaj” të Golemit ku ka kryer edhe seancën stërvitore, e para nën komandën e teknikut të ri Josa.

Një seancë kjo që është ndjekur prej së afërmi edhe nga drejtuesit më të lartë të Klubit të Futbollit Vllaznia, presidenti Alban Xhaferi dhe sekretari i përgjithshëm, Blendi Dibra, ndërkohë që i pranishëm ishte edhe drejtori sportiv, kroati, Matko Djarmati.

Ajo që ka rënë në sy në këtë seancë të parë nën drejtimin e Josës, ka të bëjë me atë që ky i fundit i ka kërkuar skuadrës të jetë sa më e çliruar emocionalisht, larg stresit dhe presionve të rezultateve të mëparshme, në mënyrë që futbollistët të marrin ngarkesat e duhura fizike, teknike dhe taktike për të qënë gati pasditen e së shtunës, kur në stadiumin “Loro Boriçi” presin” Egnatian në kuadrin e javës së 35-të, e parafundit për Abissnet Superiore.

Pjesa e parë e seancës është drejtuar nga zëvendëstrajneri, Auron Miloti dhe përgatitësi atletik, bullgari Mihail Tzokov, ndërkohë që më pas në fushë është futur edhe vetë tekniku Mirel Josa, i cili ka punuar veçmas me pjesën e titullarëve me ushtrime teknike me topin.

Në pjesën tjetër të fushës ka qënë zëvendëstrajneri Miloti me grupin e dytë kuqeblu, ndërsa sektori i portjerëve nën drejtimin e trajnerit Ideal Lekiqi ka konsumuar ushtrime profesionale me treshen Zogoviç, Qarri dhe Shkoza.

Përpos seancës së martë, tekniku Josa ka në dispozicion edhe tre seanca të tjera deri ditën e ndeshjes zyrtare me Egnatian. Një sfidë kjo që ka rëndësinë e saj në lidhje me pretendimet e kuqebluve për kapjen e zonës europiane përmes kampionatit.

Ndonëse, pas humbjes zhgënjyese në kryeqytet me Tiranën 3-1, Vllaznia është spostuar në vendin e pestë, në varësi edhe të ndeshjeve të kundërshtarëve, kuqeblutë mund të përfitojnë për të rimarrë sërishmi vendin e tretë apo të katërt, sepse i dyti, të cilin e mban Laçi, është i paarritshëm në pikëzim.

Këtë të shtunë, kur të gjitha ndeshjet luhen në një ditë dhe në të njëtin orar, atë 17:00, kundërshtarët e Vllaznisë luajnë në fushat e tyre. Kukësi, pret Skënderbeun në stadiumin, “Kukës Arena” dhe Partizani luan me Kastriotin në “Elbasan Arena”. Gjithësesi, Vllaznisë, i duhet të shikojë ndeshjen e vet, për të cilën pritet të ketë ndryshime në formacion, por edhe në mënyrën e lojës. Dy takimet e tjera të javës së 35-të të Abissnet Superiore, janë: Dinamo-Tirana dhe Teuta-Laçi.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img