Thursday, November 21, 2024

Josa vazhdon serinë e fitoreve në stolin e Laçit, sot sfidoi kampionët durrsakë 2-0

Lexo

LAÇI-TEUTA 2-0(Shënues: Mazrekaj 42’, Guindo 90’)

E katërta me radhë, mes kampionatit e Kupës, pasi Laçi nuk kishte fituar për 5 javët e para të Superiores e tani bardhezinjtë nuk duket se do të ndalen. Josa e të tijtë triumfojnë 2-0 përballë kampionëve në fuqi, duke mbajtur 100% fitore që kur është ulur në pankinën kurbinase. Zhgënjen Teuta, që ndoshta gjeti përballë një skuadër që luante në të njëjtën mënyrë cinike, por që shfrytëzoi kualitetet për të dënuar durrsakët në fundet e çdo pjese loje. Që për të besuarit e Martinit do të ishte e vështirë u pa që në minutën e 3 kur festën e bardhezinjve e të Guindos e shuajti pozicioni jashtë loje dhe arbitri Ferataj.

Teuta priti momentin, duke shpresuar në hapësira që Laçi mund të linte nga dëshira për të sulmuar, por u gjend përballë një skuadre shumë të orientuar të mos gabonte, sa vetëm një herë Selmani, në të 14, kishte mundësinë të shënonte golin e ish-it, në sugjerimin e Kallakut, pa mundur të bëjë keq. Bardhezinjtë janë të qartë në qarkullim dhe në impostimin me shumë lojtarë në gjysëmfushën durrsake, por konkluzioni i Deliut vetëm sa trembi Qirkon në të 23’, ndërsa pretendimet për penallti të Lushkjas pas një kontakti me Selmanin ranë në veshin e shurdhët të arbitrit.

E megjithatë takimi me golin vonoi vetëm pak sekonda, sepse në minutën e 42-të, Mazrekaj ekzekutoi në mënyrë perfekte goditjen e dënimit, me një goditje-kros që askush nuk e preku e që befasoi portierin, duke i dhënë avantazhin Laçit në fundin e pjesës së parë. Teuta nuk arrin të gjejë mënyrën të reagojë as pas rifillimit, ndërsa Laçi në të 63’ bën provën për të siguruar rezultatin, por Qirko ishte isntiktiv ndaj Ademit. Presioni në zonën kundërshtare i skuadrës së Josës nuk ndaloi me Lushkjan e pretendimet e tij për penallti që morën edhe një herë gjestin e vazhdimit nga Ferataj, por në të 79 ndërhyrja ndaj Guindos nuk i kushtoi goditjen nga pika e bardhë Teutës, por kartonin e kuq Xheksonit, që e la Teutën me 10 lojtarë.

Në superioritet, Laçi mbylli llogaritë me një Guindo efikas para portës, duke ndëshkuar Qirkon në minutën e parë shtesë. Ngjitet me shpejtësi në 11 pikë Laçi, duke i ndezur sinjalin e parakalimit pikërisht Teutës, që jo vetëm humbi ndeshjen, por doli e sfilitur nga kjo përballje, me Acquah, Selmanin, Aleksin e gjithashtu Xhekson që do të mungojnë në sfidën e ardhshme me Skënderbeun.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img