Egnatia është rikthyer te fitorja në kampionat, duke mposhtur në shtëpi Bylis me rezultatin bindës 3-0, në një ndeshje që mori kthesë tërësisht në pjesën e dytë. Pas fitores, foli Julian Brahja, ndihmësi i Edlir Tetovës, pasi është i pezulluar edhe për katër ndeshje të tjera.
“Në pjesën e parë e dominuam lojën, kishim mbajtjen e topit. Nuk ishim të qartë në 30 metrat e fundit, pavarësisht qarkullimit të topit nuk krijuam asnjë situatë.
I kërkuam ekipit të ndërrojmë krahun e lojës, për të krijuar hapësira. Kundërshtari kishte zbritur poshtë dhe po mbrohej shumë mirë. 10 lojtarë të Bylisit ishin në bllok poshtë. Qarkullimi i topit i shpejtë ndoshta mund të na krijonte situatë.
Në pjesën e dytë ndryshoi. Ne kishim mungesa tre lojtarë të mesfushës. Sot ishim të modifikuar në mesfushë, në qendër kishim Haimen. Në pjesën e parë na krijoi probleme Bylisi, që po priste. Jahaja nuk krijoi asnjë situatë për gol”, u shpreh Brahja për “RTSH”.


