Kampionat emocionesh nga kreu në fund, fitoret e Tiranës dhe Skenderbeut, mbajnë pezull titullin dhe mbijetesen

Që ky kampionat është ndër më të bukurit e viteve të fundit, është thënë edhe më herët. Pa as më të voglin diskutim, meritë për një gjë të tillë ka Vllaznia e Shkodrës, e cila me paraqitjet e saj fantastike të këtij sezoni ka surprizuar çdo kënd. Nga një skuadër mbijetese e sezonit të kaluar, u shndërrua në një skuadër lidër e kampionatit shqiptar duke prishur padyshim edhe planet e kalkulimet e disa skuadrave të tjera me peshë, të cilat ishin formatuar për fitimin e trofeve. Edhe pse u mund këtë javë, Vllaznia është përsëri aty, pretendente për titull dhe në të njëjtën kohë ka shtrirë njërën dorë edhe tek Kupa e Shqipërë ku është finaliste. Bardheblutë, me fitoren e sotme, jo vetem që stopuan Vllazninë e kreut duke e zbritur në vendin e tretë, por në të njëjtën lëshuan hapur presionin e titullit. Peshen e bardhebluve e ndjen edhe Teuta që pas fitores 2-0 me Kukësin e sheh veten përsëri në majë të renditjes, po ashtu edhe Partizani me Laçin që sot e mbyllen në barazim 2-2 duelin e tyre në stadiumin e Laçit.

Por, në të njëjtën kohë, po aq emocione dhe adrenalinë ka edhe në katin e poshtëm të tabelës së klasifikimit. Merita këtu shkon për Skenderbeun që theu sot Bylisin në një duel luftarak mbijetese të luajtur në stadiumin “Skenderbeu” duke e mundur 2-1. Por, jo vetem Skenderbeu, por edhe Apolonia që fitoi 2-1 me Kastriotin, e ndezën akoma më shumë luftën sportive duke mbajtur gjallë shpresat e mbijeteses në Superiore, edhe pse krutanët dhe ballshiotët janë disi më komod. Nëse këto dy skuadra do t’i mbyllnin me humbje ballafaqimet e tyre, atëherë mundësia e shpëtimit për to do të konsiderohej e mbyllur. Por ndodhi e kundërta, dhe fitoret e tyre e bëjnë edhe më të bukur konkurencën deri në fund të kampionatit.

E gjitha kjo do përligj atë që thamë më sipër që ky sezon futbollistik është më të spikaturit e futbollit shqiptar, që nëse nuk do t’i mungonin tifozëritë përkatëse në stadium, atëherë spektakli do të kishte qënë në pikat kulmore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu