Kampionati i futbollit amator 5×5 ka mbyllur ndeshjet e fazës së parë këtë javë, duke shpallur kështu kampionët simbolikë të dimrit në zonën e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, si edhe në Shkodër, ku kjo fazë ka përfunduar para dy javësh.
Sa i përket kampionatit të zonës së Shkodrës, siç është bërë me dije edhe më herët, ekipi i Air Albania, është në krye të renditjes me 21 pikë. Pas Air Albania, renditen Panters me 13 pikë, Shqiponja Gur i Zi 7, Olimpik 3.
Ndërkohë, në zonën e Tiranës, ku futbolli 5×5 është i organizuar në gjashtë grupe, ku në secilin prej këtyre grupeve, janë përcaktuar edhe vendet e para. Ekipi i ATS kryeson renditjen në grupin e parë, teksa Tirana 5×5 renditet e para në grupin e dytë. Çermenika, Sony AD, Çamëria dhe Kalçeto Ademi e mbyllin gjithashtu si kampionë këtë fazë të parë të kampionatit, që ka bërë bashkë të gjithë të apasionuarit pas futbollit.
Në zonën e Durrësit, FJT Auto dhe KKD Eurodrini kryesojnë në grupet përkatëse, pas rezultateve pozitive që kanë marrë përgjatë javëve kur ky kampionat është zhvilluar. Edhe në Elbasan ka përfunduar faza e parë, me ekipin e Pepës që mban vendin e parë në grup.
Siç bëjnë të ditur strukturat pranë FSHF-së, nga muaji i ardhshëm i vitit t ri 2021, pritet të nisë kampionati kombëtar i futbollit 5×5 edhe në zonën e Lezhës, Fierit dhe Korçës, ku përveç pasionit për futbollin, skuadrat që do të shpallen kampione do të kenë të garantuara fushën e lojës, uniformat dhe topat e lojës si dhe ndeshjet do të gjykohen nga arbitra profesionistë dhe do të ketë mjekë.
Fituesit vendeve të para në zonat përkatëse rajonale, do të shpërblehen nga FSHF me 75.000 lekë të reja, ndërsa vendi i dytë i kampionatit rajonal fiton 25.000 lekë të reja dhe 5 topa.