Aleksandër Kondo është ende i gjallë në peshëngritjen shqiptare. Ajo çfarë ai i ka bërë në shtangën shqiptare vlen si motivimin edhe sot për brezin e ri, ndërsa në Kamëz është inauguruar palestra e peshëngritjes me emrin “Aleksandër Kondo”. Shumë personalitete të peshëngritjes për të nderuar Aleksandër Kondon dhe për të parë palestrën e re mes të cilëve dhe i ati Vangjel Kondo, i cili ka patur mesazhe shumë të forta për peshëngritësit e rinj të Kamzës.
“Bukuria më e madhe është pasioni për sportin, për peshëngritjen, që është një sport burrëror, i cili të jep guxim, të jep forcë, të jep bukuri, të jep talentin, të jep premisa për t’u bërë sportist dhe njeri dinjitoz”, thotë babai i Aleksandër Kondos.
Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, dhe presidenti i peshëngritjes së ekipit, Dashamir Çajko, e shohin këtë palestër si një rritje të talenteve të së ardhmes.
“Unë nuk e shoh këtë palestër thjesh me ca shtanga dhe që është kompletuar, por që të jetë një ambient për disa djem, të cilët të jenë të angazhuar dhe të larguar nga kafja. Dhe kjo si nga ana fizike, por kjo të jetë dhe një mesazh për të rinjtë”, shpjegon kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli.
“Sot po shoh një konsideratë shumë të madhe nga miq e shokë. Një mirënjohje të thellë për të atin e të ndjerit Aleksandër Kondo, zotin Vangjel Kondo, që më dha aprovimin që nën logon e tij të hap këtë klub sportiv”, bën të ditur presidenti i Kamzës në peshëngritje, Dashamir Çajko.
Ndërkohë presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, jep vlerësimin e tij për Aleksandër Kondon, edhe sepse ka qenë bashkohës me të, si dhe si të rinjtë do të duhet të motivohen nga sporti.
“Aleksandër Kondo është një nga figurat më të mëdha të sportit shqiptar. Jo vetëm përsa i përket rezultateve që për herë të parë ngriti 200 kilogram, por edhe për trupin e tij të bukur, për spektaklin që ai jepte sepse nuk ka bërë vaki të mbushet një Pallat Sporti nga Peshëngritja. Sot peshëngritja organizon aktivitete, ka dhe Kampionë Bote, por Pallati i Sportit kur bënte garë Aleksandër Kondo mbushej plot e kjo në të dy anët”, tregon Fidel Ylli.
Edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, ka vlerësuar palestrën e re të peshëngritjes në Kamëz.
“Realisht ky ambient ku ne jemi sot jam shumë i bindur se ka qenë një bar, një kafe ku të rinjtë ndoshta harxhonin kohën e tyre kot. Por tashmë ne shohim që këta fëmijë nuk do të jenë më pjesë e rrugës, por do të jenë pjesë e kësaj palestre të mrekullueshme. Besoj se edhe shumë të rinj do të vijnë në peshëngritje”, thotë Hoxha,
Në këtë mënyrë peshëngritjes shqiptare i shtohet një palestër e re që ka një emër simbol të shtangës kuqezi.