Bekim Balaj është pritur si “hero” në Shkodër! Fitimi i tre trofeve në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2024” ka krijuar një klimë shumë entuziaste në mbarë mjedisin e qytetit verior, e sidomos atë të tifozërisë së zjarrtë kuqeblu.
Respektin për Shkodrën, KF Vllaznia, personalisht për Presidentin Alban Xhaferi që i hapi deren e rikthimit në familjen kuqeblu, familjen e tij, Balaj e shprehu edhe në ceremoninë Gala të organizuar nga FSHF.
Por, siç premtoi edhe në ceremoni, gëzimin e tre trofeve personal të fituar, Bekim Balaj e ka ndarë me shokët e ekipit kuqeblu. Përpara fillimit të seancës stërvitore të së martës, i gjithë kolektivi kuqeblu, futbollistë, staf teknit, etj, kanë pozuar me kapitenin e tyre Bekim Balaj dhe 3 trofetë e fituara nga ai: “Topi i Artë 2024”, “Këpuca e Artë 2024” dhe “Formacioni më i mirë i vitit 2024”.
E gjithë kjo është shoqëruar me një atmosferë jashtë mase pozitive në skuadër, gjë që është pasqyruar edhe në seancën stërvitore të pragndeshjes me Teutën, takim që do të luhet pasditen e së premtes në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Në moton e skuadrës, tashmë është një tjetër objektiv edhe më i madh, ai i fitimit të titullit kampion që i mungon prej shumë vitesh tifozërisë shkodrane. Dhe, jo vetëm titullit kampion, por edhe të dy trofeve të tjerë të vitit, Kupë dhe Superkupë.
Ndaj, në atë mjedis festiv dhe entuziast, nga skuadra kuqeblu, vjen mesazhi kuptimplotë:
“Të motivuar natyrisht që të gjithë së bashku tani të luftojmë edhe për trofe kolektivë për ekipin e Vllaznisë…”