Janë mbyllur dy ndeshjet e prapambetura të Kategorisë së Parë, Besa-Lushnja dhe Apolonia-Flamurtari.
Në stadiumin e Rrogozhinës, Besa fitoi me rezultatin e ngushtë, 1-0. Kavajasit përfituan dy penallti dhe shënuan vetëm një gol. Heroi i ndeshjes ishte Dos Santos Da Rocha Rubenilson në minutën e 93-të me anë të një penalltie. Ndërsa vlen të përmendet që në pjesën e parë Besa shpërdoroi një tjetër penallti me Mentor Mazrekajn. Me këtë fitore, kavajasit shkojnë në kuotën e 38 pikëve, duke mbetur në vendin e dytë në renditje. Në krahun tjetër, Lushnja me 21 pikë mbetet në vendin e 6-të.
Ndërsa në takimin tjetër skuadra e Apolonisë barazoi 1-1 me ekipin e Flamurtarit, ndeshje kjo e luajtur në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Pas golit të vendasve (Maksutin 27’) ka ardhur goli i Selimit në të 77-ën. Pavarësisht se kuqezinjtë marrin një pikë mes vuajtjes, për ta është një hap fals, pasi pas fitores së Besës dhe Vorës, humbasin kontaktet me 2 vendet e para.