Largimin nga drejtimi i KF Shiroka të trajnerit Matias Tatangelo e ka konfirmuar edhe vetë klubi shirokas, i cili përmes një deklarate zyrtare, konfirmon se ndërprerja e kontratës me trajnerin italo-argjentinas është bërë me konsensus dhe marrëveshje të plotë me klubin Shiroka.
NJOFTIM ZYRTAR
Klubi dëshiron të njoftojë opinionin sportiv dhe të gjithë dashamirësit se, me mirëkuptim dhe konsensus të plotë mes palëve, është vendosur ndërprerja e kontratës me trajnerin Matias Tatangelo.
Gjatë periudhës së bashkëpunimit, trajneri Tatangelo ka treguar profesionalizëm, përkushtim dhe korrektësi në punën e tij, duke kontribuar në zhvillimin e ekipit dhe në përmirësimin e standardeve sportive dhe disiplinore brenda klubit.
E falënderojmë sinqerisht Matias Tatangelo për angazhimin, seriozitetin dhe punën e bërë gjatë kohës që ka qenë pjesë e klubit tonë. I urojmë suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale dhe në çdo sfidë të ardhshme.
Klubi do të vazhdojë punën për realizimin e objektivave të tij sportive dhe do të njoftojë në kohën e duhur për hapat e ardhshëm.
Nga sa bëhet e ditur, skuadra shirokase do të nis përgatitjet dimërore me datë 5 janar 2026 nën drejtimin e zëvendëstrajnetit Ardit Mani, ndërkohë që për lëvizjet e tjera të mundshme në vazhdim, do të mësohen gjatë ditëve në vazhdim.


