KF Shiroka-Tërbuni 3-0(Shënues: Elidon Dulaj, Rinor Peku, Rei Boshti)
Klubi i Futbollit Shiroka, duket se është në rrugën e duhur. Këtë e tregojnë edhe miqësoret që ky ekip po zhvillon në kuadrin e përgatitjeve për fazën e dytë të kampionatit. Dhe, për të testuar si duhet skuadrën, trajneri italo-argjentinas Matias Tatangelo, i cili ka marrë drejtimin e skuadrën me fillimin e vitit 2025 ka kërkuar që skuadra e tij që konkuron në kategorinë e tretë të miqësoret t’i zhvillojë me skuadra të një kategorie më lart, aty ku Shiroka synon të mbërrijë sezonin e ardhshëm futbollistik.
Dhe, jo më kot, dy ndeshjet e para miqësore i ka zhvilluar me dy skuadra pretendente të kategorisë së dytë, Veleçikun e Koplikut dhe Tërbunin e Pukës, ku rezultatet ka qënë fantastike për KF Shirokën. Pas sfidës së parë që shirokasit e fituan me rezultatin e thellë 5 me 1 ndaj Veleçikut, ka ardhur edhe fitorja e dytë, këtë radhë kundër Tërbunit, e cila edhe kjo me shifra të thellë 3 me 0.
Në përballjen e dytë të zhvilluar këtë fundjavë në stadiumin “Reshit Rusi”, skuadra e drejtuar nga Matias Tatangelo vijoi të prezantojë në fushën e lojës emrat e futbollistëve me të cilët ka programuar të përballojë pjesën e dytë të sezonit 2024-2025. Krahas emrave të tjerë, ajo që duhet theksuar në fushën e lojës po aktivizohen edhe dy blerjet e reja, Elidon Dulaj dhe Eraldo Dede, lojtarë këto me parametra cilësorë që kanë luajtur me Vllazninë si dhe me ekipe të tjera të kategorisë së parë.
Nëse për të dytin, sulmuesin Dede, duhet edhe pak kohë për ta parë në formën e duhur, pasi është duke kaluar një process rikuperimi nga dëmtimi i muajit të kaluar, për mbrojtësin-mesfushor Dulaj duhet thënë se është në formën e tij më të mirë sportive. Një gjë të tillë Dulaj e tregoi edhe në miqësoren ndaj Tërbunit të Pukës, ku ishte autor i golit të parë. Pas rrjetës së Dulajt do të vinin edhe dy golat e tjerë për Shirokën me autor Rinor Pekun dhe Boshtin duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e pastër të KF Shirokës, 3 me 0.
Me këto dy fitore radhazi ndaj skuadrave të një kategorie më lart, Klubi i Futbollit Shiroka përcjellë një sinjal të qartë garancie që në fazën e dytë do të jetë e papërmbajtshme ndaj rivalëve të saj të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Tretë.