Thursday, November 28, 2024

KF Shkumbini së shpejti me një kompleks të ri. Presidenti Duka: FSHF, gjithmonë e gatshme të ndihmojë në investime për zhvillimin e futbollit të fëmijëve

Lexo

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ishte i ftuar special në përurimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e kompleksit stërvitor KF Shkumbini në Peqin, një investim madhor që do të bëhet realitet së shpejti.

Aktiviteti i organizuar nga Presidenti i klubit të Shkumbinit, Ali Kasa, ku mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë Peqin, Bukurosh Maçi, nisi me prezantimin e projektit të kompleksit të ri, ndërsa të gjithë të ftuarit u njohën me investimin dhe fazat e ndërtimit të tij.

Ky vit është jubilar për Shkumbinin pasi është 100 vjetori i krijimit të klubit dhe në këtë aktivitet u prezantua edhe logo e 100 vjetorit dhe gjithashtu u bë publike marrëveshja me sponsorin e ri teknik të Shkumbinit që është “errea”.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse në këtë aktivitet, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, vlerësoi projektin e ri të kompleksit stërvitor KF Shkumbini dhe theksoi se Federata Shqiptare e Futbollit është e gatshme për të bërë realitet këtë projekt dhe shumë projekte të tjera në të ardhmen, që ndihmojnë në zhvillimin e futbollit të fëmijëve.

“Gjithmonë jam shumë i kënaqur kur jam në ceremoni të tilla për investime në futboll e aq më shumë për investime në zhvillimin e futbollit të fëmijëve. Në Peqin jam akoma më i kënaqur. Lexohet në fytyrat e atyre që kam takuar dëshira dhe dashuria që ka Peqini për futbollin.

Si në të gjitha projektet padyshim me shumë dëshirë FSHF do të mbështes nga fondet e saj këtë projekt. Ka kohë që kemi filluar të bisedojmë dhe më vjen mirë që tani po bëhet realitet. E kemi filluar këtë bisedim me Lorencin, ish-Drejorin e klubit për t’i bërë këto fusha këtu. Ka pasur disa probleme dhe uroj që të jenë zgjidhur.

Tre gëzime në një ditë dhe nuk mundem të mos e përmend historinë sepse është shumë e rëndësishme. Në këtë qytet është luajtur futboll që në vitet e para të futbollit në Shqipëri. 100 vjet klub është vërtetë shumë, është një nga klubet më tradicionale. Futbollistët që kanë derdhur djersë ndër vite në klubin e Shkumbinit që janë shumë, besoj që janë të gëzuar pasi kur ky kompleks të marri jetë do të shohin fëmijët në kushte ideale për të ushtruar sportin e tyre të zemrës.

Ju uroj shumë suksese të gjithëve, kryesisht fëmijëve që janë këtu sot. Futbolli është një nga sportet më edukative dhe përveç shëndetit nëpërmjet futbollit këta fëmijë do të jenë më të disiplinuar, do të kenë frymën e skuadrës, më shumë virtyte që do t’i duhen nesër në jetë.

Dua t’ju falënderoj shumë për iniciativën dhe t’ju shpreh edhe njëherë gatishmërinë dhe respektin maksimal të FSHF-së për ta bërë së bashku këtë projekt dhe projekte të tjera. Ju uroj shumë suksese” – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img