Sunday, November 24, 2024

KF Vllaznia nderon Luan Vukatanën. Ish futbollisti kuqeblu që jeton në SHBA, emocionohet kur i dorëzohet fanela e personalizuar me emrin tij

Lexo

Për Luan Vukatanën, ish futbollistin shkodran që ka një karrierë të pasur me Vllazninë dhe kombëtaren kuqezi, stadiumi “Loro Boriçi” ka qënë një shtëpi e dytë për të. Aty ka kaluar rininë e tij, ku me uniformën e Vllaznisë ka koleksionuar fitimin e 5 trofeve, 2 kampionate dhe 3 Kupa Republike, ndërkohë që aq i spikatur ka qënë në rolin e titullarit të ekipin kombëtar Shpresa dhe kombëtares së madhe, karrierë kjo që është shoqëruar edhe me fitimin disa herë të Anketës si Sportisti më i mirë i vitit, si dhe në listën e më të mirëve të shekullit.

Koha ka bërë të vetën, dhe kur prej 15 vitesh jeton me familjen e tij në SHBA, sot në moshën 61 vjeçare, ai ka rastin të jetë sërishmi në “Loro Boriçi”. Nga tribuna moderne e këtij impianti i transformuar tërësisht në të gjitha hallkat e tij, Luan Vukatana shijon me plot emocione ndeshjen e pretendentëve për titull Vllaznia-Teuta, ndërkohë që emocione të tjera e rrethojnë kur në shenjë respekti ndaj figurës dhe kontributit që ai ka dhënë për ngjyrat kuqeblu, drejtuesit e KF Vllaznia i dhurojnë uniformën kuqeblu me numrin 11, atë që ai ka mbajtur gjatë periudhës që ai luante për Vllazninë.

Po aq të gëzuar dhe të emocionuar ndjehen edhe miqtë e tij, shqiptarë që jetojnë së bashku me të në SHBA, të cilët e kanë shoqëruar mikun e tyre në këtë rrugëtim të largët Amerikë-Shkodër. Njëri prej tyre, Gaspër Lekgega, për të cilin Luani thotë se e ka mikun më të mirë shqiptar në SHBA, ka rastin të fiksojë një foto në koridoret e stadiumit “Loro Boriçi” me vetë Luan Vukatanën dhe uniformën e Vllaznisë me emrin e tij të stampuar në të, për të cilën thotë se është ndër kujtimet më të veçanta të jetës së tij.

Këto emocione për Luan Vukatanën dhe miqtë e tij më të afërt që e kanë shoqëruar këto ditë të qëndrimit në Shkodër vijnë menjëherë pas një nderimi që iu bë figurës së tij nga ana e Presidentit të Republikes, z. Ilir Meta duke i akorduar atij titullin e lartë “Mjeshter i Madh” së bashku me dy kolegët e fushës së lojës, Hysen Dedja dhe Roland Luçi.

“Jam shumë mirënjohës ndaj ish presidentit të Vllaznisë dhe deputetit të Qarkut Shkodër, mikut tim Agron Çela, për respektin që ka treguar ndaj meje si individ, i cili ka ndikuar shumë jo vetëm për dekoratën e marrë nga presidenca, por në përgjithësi për sportin e Shkodrës duke qënë shumë aktiv për të gjithë komunitetin sportiv të qytetit tonë. Ndërkohë, kjo fanelë kuqeblu, më rikthen shumë vite më herët. Kam kaluar vite të bukura në karrieren time sportive, dhe mund të them se ëndrra ime është Vllaznia, kjo është një fanelë që peshon shumë, shumë rëndë. Do ta marr me vete në Amerikë duke më plotësuar në një farë mase, mungesën e Shkodrës dhe Vllaznisë time”, shprehet për Veriu Sport, një nga legjendat e futbollit shkodran, së fundmi edhe “Mjeshtri i Madh”, Luan Vukatana.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img