Humbja 4-1 me Petrocub nuk ka lënë shije të mirë, teksa kurbinasit paralajmërojnë revolucion total. Klubi i Laçit ka reaguar përmes një komunikate për shtyp ku bën me dije se do të ketë furtunë të madhe në skuadër pas eleminimit nga Kupat e Europës. Në reagimin e bërë në kanalin zyrtar të klubit thuhej:
“Humbja e djeshme 1-4 kundër Petrocub, që rrjedhimisht solli edhe eliminimin nga Conference League në turin e dytë eliminator, ka shkaktuar zhgënjim të madh në klubin tonë. Synimi ishte kalimi i turit dhe vazhdimi i një tradite pozitive në garat ndërkombëtare. Kjo gjë nuk ndodhi dhe nisur nga rezultati dhe loja e zhvilluar, KF Laçi do të marrë gjithë masat që të jetë gati për sezonin e ri futbollistik. Kjo nënkupton një revolucion në ekip, në të mirë të së ardhmes së klubit në çdo aspekt. Rikthehemi më të fortë! Para Laçi!”
Laçi u mposht dje 4-1 në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultatin 0-0. Kjo sfidë ishte e vlefshme për turin e dytë të Conference League.