Serbi-Shqipëri 2-2(Shënues: Mituljikiç 42’, Lazetiç 77’/Nerguti 84’, Shpendi 88’)
Formacioni-Shqipëria: Simoni, Bytyqi, Preka, Zalli, Zenelaj, Pjeshka, Nerguti, Toci (c), Mata, Bibo, Hysaj. Trajner: Armando Cungu
Shqipëria U-19 ka barazuar ditën e sotme ndeshjen me bashkëmoshatarët serbë në sfidën e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” përfundoi me rezultatin 2-2, me kuqezinjtë e drejtuar nga Armando Cungu që barazuan në minutat e fundit të ndeshjes. Shqipëria U-19 e nisi me këtë formacion: Simoni, Bytyqi, Preka, Zalli, Zenelaj, Pjeshka, Nerguti, Toci (c), Mata, Bibo, Hysaj
Pjesa e parë e lojës ishte thuajse e barabartë për të dyja skuadrat, që kontrolluan topin dhe krijuan raste të pakta shënimi. Megjithatë, kundërshtarët ia dolën të kalonin në avantazh në minutën e 42-të, me Mituljikic, me fraksionin e parë që mbyllet në favor të skuadrës serbe.
Shqipëria tregon fytyrë tjetër në 45 minutëshin e dytë të lojës, me Zenelajn, i cili pas një krosimi nuk arrin të barazojë ndeshjen. Një tjetër rast i shpërdoruar nga Zalli në minutën e 56-të, ndërsa katër minuta më vonë do të ishte kapiteni Toci ai i cili goditi me kokë topin brenda zonës kundërshtare, por topi ndalet nga portieri Lukiç.
Topi qarkullohet nga kuqezinjtë, të cilët kontrollojnë mirë lojën dhe krijojnë më shumë raste të pastra shënimi. I pafat Mata, i cili gjuan topin nga një distancë e madhe, por që ndalet sërish nga portieri serb. Tekniku shqiptar vendos të hedhë në fushë Shpendin dhe Dervishin, ndërsa Bibo e Hysaj dalin nga loja.
Në momentin më të mirë të skuadrës së Cungut, serbët dyfishojnë shifrat me Lazetiç. Pas golit të dytë, trajneri shqiptar bën dy zëvendësime të tjera, me Alivodën dhe Arapin që futen në vend të Pjeshkës dhe Zenelajt.
Gjyqtari çek akordon një penallti në favor të kuqezinjve në minutën e 82-të, që nuk ekzekutohet në mënyrë të saktë nga Eljo Toci, me topin që ndalet edhe njëherë tjetër nga portieri. 2 minuta më vonë është Henri Nerguti ai që rihap sfidën me një gol me kokë, ndërsa për barazimin do të mendonte Christian Shpendi.
Ndeshja mbyllet me shifrat 2-2, ndërsa Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Maqedonisë së Veriut më 16 nëntor në Elbasan Arena.