Komentet mediatike e konsiderojnë edhe Partizanin si një kandidat të mundshëm për fitimin e titullit kampion. Madje, FSHF ka vendosur që krahas Durrësit dhe Shkodrës të dërgojë një trofe edhe në Ballsh, pasi një kombinacion rezultatesh në favor të Partizanit i jep të kuqve titullin kampion.
Megjithatë, në kampin e të kuqve nuk besojnë në një formulë të tillë, sepse sipas tyre, pas humbjes me Vllazninë të premten e kaluar kanë dalë jashtë gare. Një gjë të tillë e shpreh edhe vetë trajneri Ilir Daja gjatë konferëncës për shtyp dhë në pragndeshjen, Bylis-Partizani.
“Ka qenë një javë e vështirë. Gjithsesi, ne jemi goditur në mënyrë permanente. Edhe kur po nisesha në konferencë për shtyp më erdhën vendimet e Komisionit të Disiplinës. Si duket e kanë menduar: t’ia çojmë trajnerit, që të mos hapi gojën. Nuk është rast i izoluar, por ka qenë në vazhdimësi dhe ndaj Vllaznisë ishte e fundit, për të na nxjerrë jashtë gare. Dua të sqaroj se në këtë çështje nuk ka lidhje Vllaznia, nuk e dhanë ata penalltinë. Kanë bërë një kampionat të mirë dhe janë me meritë aty ku janë. Më ka ndodhur në dy raste në karrierën time, kur kam dorëzuar titullin në dy ndeshje nga fundi. Ka qenë Jorgji në ato raste, por nuk ka të bëjë me të, sepse nëse do ishte ai, do ishte një Jorgj tjetër. Në 4 ndeshjet e fundit, në 3 na ka gjykuar Hamiti. Në gjithë kampionatin Partizani nuk ka fituar asnjëherë nën gjykimin e Hamitit. Më pas me Ferhatin e me shokë, që e pamë se ç’donin të bënin. Mendoj se nëse nuk e kishin bërë këtë javë, java e fundit në Ballsh do kishte qenë skëterrë në paragjykimin tim”, thotë njëshi i pankinës së kuqe, Ilir Daja.
Më tej, duke folur për sfidën e javës së fundit, si dhe për vazhdimësinë Daja, thotë:“Kemi shumë mungesa për ndeshjen e nesërme kundër Bylisit. Asani është dëmtuar në stërvitje, Belica e Broja janë me kartonë. Është në pikëpyetje edhe një tjetër lojtar, për të cilin do marrim përgjigje në vijim. Do shkojmë të bëjmë ndeshjen me Bylisin. Nuk do luftojmë me mullinjtë e erës sepse gjithçka mendoj se është e mbyllur. Do respektojmë kampionatin, të tregojmë se Partizani nuk ka pasur asnjë aleat në këtë kampionat. Duam maksimumin në këtë ndeshje. Kemi luftuar deri në javën e parafundit, nuk na lanë të luftojmë edhe këtë javë. Nëse pretendojmë tani titullin, do të ishte një është utopi, nëse nuk na lanë deri më tani, nuk do bëjnë në ndeshjen e fundit. Nuk po them se s’do shkojmë për të fituar në Ballsh, por them se titulli është çështje e mbyllur. Po mendojmë për Europën sepse shumë lojtarë janë në fund të kontratave. Disa prej tyre, siç është konfirmuar në media kanë firmosur edhe parakontrata, në etikën morale kjo nuk shkon, Partizani i ka mbështetur ata në të gjitha drejtimet”, përfundoi konferëncën për shtyp tekniku Daja.