Pak javë me parë në opinionin sportiv, Skenderbeu dukej i pashpresë për qëndrimin në kategorinë Superiore. Por, ardhja në krye të skuadrës e trajnerit, Migen Memelli ka ndryshuar shumë gjëra në kampin korçar. Në vazhdën e ndeshjeve pozitive vjen edhe kjo e javës së 31-të kur, edhe pse konsiderohej e vështirë, Skënderbeu ka triumfuar në transferten krutane. Ndeshja e luajtur në stadiumin e Kamzës ka përfunduar me fitoren korçare me rezultatin 0-2. Një fitore kjo që rritë ndjeshëm shpresat e qëndrimit në Superligë.
Me një dominim më të madh nga skuadra vendase, pjesa e pare mbyllet me dy episode tensioni në dëm të krutanëve. Fillimisht një ndërhyrje e rëndë me brryl e Prodanit ndëshkohet me karton të kuq nga arbitri Jorgji, ndërkohë që limitin e kësaj pjese të kuqen mund ta merrte edhe Çela që kishte dy të verdha, por Jorgji e toleron duke e mbajtur në lojë.
0-0, pjesa e parë, ndërkohë që e dyta ka të njëjtin skenar. Edhe pse me 10 lojtarë, është Kastrioti që kontrollon fushën, përballë Skënderbeut që mendon vetëm të mbrojë zonën. I pafat Bardhi në të 59-ën kur gjuajtja e fortë nga 20 metra ndalet nga shtylla. Megjithatë, ndeshja zhbllokohet në minutën e 67-të nga Zhan Viktor, i cili përfiton nga një hezitim i Nezirit. Kështu korçarët arritën të marrin maksimumin nga një aksion pa shumë pretendime.
Fundi I takimit kishte rezervuar surpriza të tjera. Korçarët humbin një 11-metërsh, të fituar nga Mara dhe të shpërdoruar nga Meksi, ndërsa në limite arrin të gjejë golin e dytë me anë të Kosta Vangjelit duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me rezultain 0-2 në favor të Skenderbeut. Tre pikë të arta për korçarët në luftën për mbijetese, ndërkohë humbja për Kastriotin ia ndërlikon jo pak qëndrimin në Superligë.