Osman Mula, një artist i përmasave të mëdha dhe shumëplanësh në llojin e vet, njihet në jetën e përditshme edhe si një supertifoz i Vllaznisë. Pasionin e tij për futbollin dhe për Vllazninë e tij të zemrës, Osmani e ka shprehur prej shumë e shumë vitesh duke e ndjekur skuadrën kuqeblu në të gjitha ndeshjet e saj, brenda dhe jashtë fushës së vet.
Vitet e shumta që jeton dhe ushtron aktivitetin e tij artistic në Tiranë e kanë shdërruar atë edhe në një figurë shumë të nderuar dhe respektuar nga shkodranët, ku pikërisht falë atij kontributi që ai jep në shërbim të artit dhe sportit, nuk kanë nguruar të quajnë, “Ambasador i Shkodërs në Tiranë”.
Sot, i madhi artist dhe tifoz, Osman Mula, ka bërë një vizitë në selinë e Federatës Shqiptare të Futbollit, ku është pritur nga kreu i këtij institucioni, Armand Duka. Pas takimit, në shenjë respekti për figurën e Osman Mulës, presidenti Duka i ka dhuruar Osman Mulës një fanelë të kombëtares së Shqipërisë me dedikim personal. Ndërkohë, që në një postim të tij në rrjetin social, presidenti Duka, shkruan:
“Nje ditë e veҫantë kjo e sotmja ku pata kënaqësinë të prisja në zyrën time mikun tim dhe mikun e futbollit shqiptar Osman Mulën. Zhvilluam një bisedë të gjatë për futbollin shqiptar, Vllazninë, që është një pikë e fortë lidhëse ndërmjet nesh, dhe e informova Osmanin për projektet tona të ardhshme. Kënaqësi kur shikon personalitete të mëdhaja të artit që qëndrojnë gjithmonë afër futbollit.”
Edhe pse nuk bëhet e ditur zyrtarisht, mësohet se në takimin në fjalë, kryetifozi i shkodranëve, Osman Mula, ka bërë prezent edhe shqetësimin e opinionit të gjërë shkodran në lidhje me arbitrimet, të cilat gjatë periudhës së fundit nuk kanë qënë korrekte për Vllazninë. Shqetësim, që me sa mësohet, zoti Duka e ka marrë të mirëfilltë, duke garantuar marrjen e masave të duhura, që në ndeshjet në vazhdim, Vllaznia, por edhe skuadra të tjera të futbollit shqiptar, të mos dëmtohen nga vendimet e arbitrave shqiptarë.