Seanca stervitore e paraditës së sotme zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” ishte e fundit për skuadrën kuqeblu përpara nisjes drejt Bosnjes për ndeshjen e ditës së enjte Shiroki Brijeg – Vllaznia, takim ky që do të luhet në stadiumin “Pecara” Brijeg duke filluar nga ora 21.00. Seancë kjo që është shfrytëzuar nga trajneri Brdariç për të projektuar edhe formacionin anti- Shiroki Brijeg. Me interes ka qënë për të parë, nëse blerja më e rëndësishme, Liridon Latifi, do të ishte në planet e stafit si titullar, apo jo. Me sa u pa gjatë kësaj seance dhe kryesisht gjatë minutave të lojës mes dy formacioneve të zhvilluar në pjesën e fundit të seancës, Latifi nuk figuroi në formacionin e parë. Që do të thotë, se me të gjitha gjasat, Latifi do ta nisë ndeshjen nga stoli, ndërkohë që siç theksoi edhe vetë tekniku Brdariç, ai por edhe ndonjë tjetër do të ketë mundësinë të aktivizohet gjatë ndeshjes si zëvendësues.
Testet Covid 19-të, OK për Vllazninë
Ndërkohë, me shumë interes ka qënë marrja e përgjigjeve të testeve Covid 19-të, për të cilën futbollistët kuqeblu iu nënshtruan analizave përkatëse. Nga sa mësohet, i vetmi që ka qënë i shqetësuar në këtë mes ka qënë kapiteni Erdenis Gurishta, i cili në fakt ka qënë edhe i pari nga futbollistët kuqeblu që u pat prekur nga virusi Covid 19-të. Tensioni në këtë mes nuk ka qënë i vogël, kur specialistët përkatës i kanë kërkuar Gurishtës t’i nënshtrohet për të treten herë me radhë marrjes së tamponit. Në përfundim, mjeku sportiv Zyhdi Çoba, bën të ditur se përgjigja ka ardhur pozitive për skuadrën, që në gjuhën mjekësore është “negativ” duke mos penalizuar asnjë prej tyre që të udhëtojë me skuadrën për ndeshjen e ditës së enjte, Shiroki Brijeg – Vllaznia.
23 futbollistë drejt Bosnjes, sulmuesi Deda nuk udhëton për arsye dëmtimi
Një ditë më parë, KF Vllaznia bëri zyrtarisht të ditur listën prej 24 futbollistëve që do të udhëtojnë drejt Bosnjes për sfidën Shiroki Brijeg – Vllaznia.
Portier: Bojan Zogoviç, Kristi Qarri
Mbrojtës: Erdenis Gurishta, Mevlan Adili, Eni Imami, Darko Bulatoviç, Abdurrahman Fangaj,. Egzon Shimaj, Geralb Smajli, Klejdi Paloka
Mesfushorë: Ardit Krymi, Fjoart Jonuzi, Milosh Kaleziç, Uheid Hoxha
Sulmues: Eraldo Deda, Arlind Kalaja, Arsid Kruja
Sulmues: Haris Dilaver, Ardit Hoxha, Viktor Da Silva, Fahrudin Gjurgjeviç. Liridon Latifi, Mehdi Çoba, Alfonso Radovani
Ndërkohë, në momentin e nisjes, nga lista e publikuar mbrënjen e së hënës mungonte sulmuesi Eraldo Deda. Mungesë kjo që drejtuesit e klubit sqaruan se është për arsye dëmtimi të futbollistit. Në fakt, sulmuesi Deda që konsiderohet një prej të rinjëve të talentuar në kampin kuqeblu kaloi për muaj me radhë një dëmtim të gjatë që e la jashtë fushave të futbollit. Rikthimi i tij në skuadër ishte në ditët përgatitore të zhvilluara në Zllatibor të Serbisë, aty ku sa mësuam, ka qënë i pafat sepse i është rikthyer përsëri dëmtimi duke e lënë jashtë mundësisë së udhëtimit me skuadrën për sfidën e turit të parë në Conference League.
Udhëtimi me autobus, akomodimi në Medjugore
Udhëtimin drejt Bosnjes për ndeshjen e transfertës të turit të parë Conference League, ndaj Shiroki Brijeg, kuqeblutë kanë preferuar ta konsumojmë me autobus. Një udhëtim që sipas programit të hartuar do të ketë ndalesat e parashikuar të pushimit dhe më pas për të përfunduar direkt në Medjugore, një qytet rreth 20 kilometra larg qytetit ku do të luhet ndeshja zyrtare, Shiroki Brijeg – Vllaznia. Nga sa bëhet e ditur, kuqeblutë do të kenë mundësinë të jenë në stadiumin “Pecara” Brijeg ku do të luhet ndeshja e së enjtes, vetëm pasditen e së mërkurës për të zhvilluar seancën e zakonshme një ditë përpara ndeshjes, për t’u rikthyer më pas në “Pecara” Brijeg mbrëmjen e së enjtes kur në orën 21.00 është programuar zhvillimi i ndeshjes zyrtare, Shiroki Brijeg – Vllaznia.