Rëndimi i terrenit sportiv nga reshjet e dendura të shiut që kanë rënë dhe vazhdojnë të bien në qytetin verior kanë detyruar kuqebutë e Vllaznisë të lënë prej dy ditësh Shkodrën duke u spostuar në bregdetin durrsak për tu akomoduar në kompleksin Tropikal.
Në këtë mënyrë, të dy kampet përkatëse kanë patur mundësinë të përgatisin skuadrat e tyre vetëm pak metra larg njëri-tjetrit. Gjë, që në një farë mënyre, mund t’i kenë dhënë mundësinë “spiunëve” nga secili kamp të arrijë të thithë ndonjë sekret, nëse do të ketë ndonjë të tillë, për ta shfrytëzuar të premten në një fushë asnjanëse, si ajo e Elbasanit, pasi durrsakët, edhe janë pritës, punimet në stadium nuk ia japin mundësinë të luajnë në shtëpi.
Sa i përket kuqebluve, pasditja e së mërkurës është shfrytëzuar për seancën e parë durrsake, ndërkohë që kjo e sotmja ka qënë e dyta radhazi që kuqeblutë kanë zhvilluar në fushën sportive të Kompleksit Sportiv Tropikal.
Kjo e sotmja ka qënë seanca e fundit anti-Teuta, minutat e së cilës janë shfrytëzuar nga tekniku Brdariç për të fiksuar njëmbëdhjetëshin që do të hedhë në fushë nga minuta e parë për sfidën zyrtare të ditës së nesërme që do të luhet në “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 16.45.
Burimet zyrtare nga klubi kuqeblu bëjnë të ditur se atmosfera në kampin shkodran është shumë e mirë dhe të gjithë pjestarët e tij besojnë tek suksesi në takimin e nesërm.