Futbollistët e kombëtares tonë vazhdojnë të bëjnë paraqitje tejet të mira në klubet ku ato luajnë. Paraqitje këto që i rrisin ato si futbollistë në prizmin individual, por ndërkohë formohen edhe më tepër për t’i shërbyer skuadrës përfaqësuese. Kështu ka ndodhur edhe këtë javë me Nedim Bajramin dhe Armando Brojën, të cilët kanë qënë ndër më të mirët e javës për ekipet e tyre.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami po kalon një formë fantastike në karrierë. Bajrami, i cili debutoi me Shqipërinë në ndeshjen ndaj Hungarisë dhe luajti 45 minuta kundër San Marinos, është rikthyer të luajë me klubin e tij në Itali. Bajrami që aktivizohet në radhët e Empolit ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë mbrëmjen e kaluar, në sfidën ndaj Venecias, duke qenë protagonist absolut me skuadrën e tij. Ai arriti të shënojë të vetmin gol për Empolin në minutën e 89-të, ku u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke shkurtuar shifrat në 1-2. Goli i mesfushorit të Shqipërisë nuk mjaftoi për të ndryshuar fatin e rezultatit të ndeshjes për Empolin, që u mund në shtëpi 1-2. Sipas uebsajtit të specializuar për statistikat, SofaScore, shqiptari u shpall lojtari më i mirë në radhët e Empolit, duke u vlerësuar me notën 7.4.