Kanë mbetur ende edhe shumë pak vende të lira për kursin e radhës për video-analistë të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kursi do të zhvillohet nga data 8 deri më 12 maj në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë dhe do të koordinohet nga stafi i Kombëtares A dhe do të përmbajë në total 25 orë leksione.
Përgjatë këtij kursi do të trajtohen të gjitha çështjet që lidhen me analizën e futbollit: taktikat, përdorimin e videove, analizën e të dhënave dhe trajnimit.
Roli i video-analistit sa vjen e bëhet gjithnjë e më shumë i kërkuar në stafin profesionist në nivel ndërkombëtar dhe Federata e Futbollit po bën maksimumin për formimin e sa më shumë video-analistëve profesionistë për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit shqiptar. Kursi është në fakt në edicionin e tij të pestë dhe studentët e viteve të mëparshme kanë mundur të gjejnë hapësira të mëdha në ekipet e Kategorisë “Abissnet Superiore” dhe më gjerë, duke punuar ngushtë me trajnerët.
Video-analisti është një rol në stafin teknik të një skuadre, detyra e të cilit është të gjejë, përpunojë dhe prezantojë të gjitha llojet e informacionit të dobishme për punën e stafit, lojtarëve dhe klubit. Duke qenë se video është sot një element kryesor për komunikimin e informacionit, ky mjet do të jetë më i përdoruri nga analisti. Për të marrë pjesë në kurs duhen plotësuar disa kritere, por mund të keni një avantazh nëse keni pak njohje me teknologjinë dhe mbi të gjitha njohuri dhe pasion të madh për lojën e futbollit.
Ashtu si vitet e kaluar, kursi për video-analistët do të ofrojë mundësinë që analistët të jenë në gjendje të njihen dhe të përdorin drejtpërdrejt platformën e njohur “WyScout”, databazën më të madhe të të dhënave në botë për ndeshjet dhe lojtarët e futbollit, një mjet i domosdoshëm për të mund të punuar në nivelet më të larta.
Të investosh në arsimimin e video-analistëve do të thotë të investosh në të tashmen dhe në të ardhmen e futbollit shqiptar: falë kësaj figure, jo vetëm trajnerët, por mbi të gjitha klubet, do të kenë në dispozicion më shumë informacione për të marrë vendimet e tyre më të rëndësishme, si për ndeshjet ashtu edhe për merkaton.
Kursi për video-analistë i organizuar nga FSHF-ja përfaqëson me pak fjalë, jo vetëm mënyrën për të parë futbollin nga një këndvështrim tjetër, pra atë të stafit profesional, por një mundësi reale për të qenë në gjendje të hapësh një derë të re në botën e futbollit.
Pjesëmarrja në kurs nuk do të jetë vetëm për të marrë një certifikatë që shërben për të ardhmen, por mbi të gjitha, për të thelluar njohuritë futbollistike dhe teknologjike dhe për ta parë botën e futbollit me një sy ndryshe.