Federata Shqiptare e Futbollit ka përfunduar me sukses edicionin e 37-të të kursit për licencimin e trajnerëve të rinj të nivelit UEFA B, i rezervuar për ish-futbollistët profesionistë të cilët kanë luajtur të paktën tre vite në Kategorinë ‘Abissnet Superiore’ dhe 5 vite të aktivizuar në Kategorinë e Parë.
Ky kurs, i organizuar nga Departamenti i Edukimit në FSHF nisi më 5 shtator dhe zgjati për tre muaj, duke i dhënë mundësinë të gjithë trajnerëve të regjistruar të ndjekin dhe të mësojnë nga një kurrikul të mirëpunuar nga FSHF-ja në bashkëpunim me UEFA-n.
Në këtë edicion u aplikua një formë tjetër e dhënies së kursit, ashtu sikurse edhe edicionin e kaluar, ku sipas udhëzimeve të UEFA-s, trajnerët ndoqën leksionet në harkun kohor të tre muajve në katër periudha, 4-6 ditëshe për t’i implementuar njohuritë e marra në skuadrat e tyre. Risi në këtë edicion ishte edhe puna interaktive mes pjesëmarrësve, duke punuar në grupe së bashku e duke shpërndarë kështu edhe dijet me njëri-tjetrin.
Ditën e sotme u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për 30 pjesëmarrësit në ambientet e Shtëpisë së Futbollit teksa të pranishëm ishin drejtuesit e Sektorit të Edukimit në FSHF, Sulejman Starova dhe Alban Tafaj, të cilët i uruan suksese trajnerëve të rinj në vijim.
Në këtë kurs morën pjesë dhe u pajisën me diplomat e nivelit B edhe emra të njohur të futbollit shqiptar si Elis Bakaj, Arjan Sheta, Kushtrim Lushtaku etj.