Kurbinasit kanë arritur të marrin një fitore shumë të rëndësishme pasditen e sotme duke mundur komshinjtë krutanë të Kastriotit në shtëpi. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e Kamzës, ka qënë e dyluftuar nga të dyja skuadrat, por në fund ka triumfuar Laçi me rezultatin 0-1. Një frymëmarrje për malazezin, që kishte parashikuar një tjetër skuadër me rikthimin në formë të Ujkës, që nuk e zhgënjeu, duke vendosur ndeshjen, që sposton kurbinasit nga vendi i fundit, tani pronë e Teutës.
Laçi e kishte lajmëruar kthesën me barazimet ndaj Tiranës e Vllaznisë dhe synimet i tregoi shumë shpejt me Mazrekajn. Kosovarit iu mohua goli spektakolar në minutën e 13-të, nga një reagim po aq i bukur i portierit Sali. E megjithatë, Kastrioti ruajti ekuilibrin edhe për dy minuta sepse në të 15’, në skemën e organizuar në zhvillimet e një goditje këndi, Ujka shënoi golin e avantazhit.
Asgjë për të bërë për portierin në konkluzionin nga jashtë zonës, por Kastrioti kthehet të luftojë, pas një çerekorëshi inekzistent. Dajsinani komplikoi një situatë në të 22’, i shpëtuar nga mbrojtja, por goditjet standard ishin rrezik konstant për Laçin, që rrezikoi në të 32’ në goditjen e devijuar të Stojanoviç. Devijim i pretenduar me dorë nga krutanët, por jo në gjykimin e arbitrit, që ndezi edhe më shumë motorët e skuadrës së Çelës.
Greca me kokë në të 36’ e pastaj, tre minuta më pas, edhe Cela, nuk kapitulluan Dajsinanin, që i çoi në pushim të tijtë në avantazh. Ujka mund të mbyllte historinë dy minuta pas rifillimit, por goditja me kokë e mesfushori u ndal në mënyrë brilante nga Sali. Pasi nuk siguroi dot rezultatin, Laçi tentoi të kontrollonte lojën, më shumë se të ngacmonte Kastriotin, që ra në grackën e kundërshtarit, duke bërë lojën e tyre, me ritëm të ulët e pa impulse që mund të vinin në vështirësi prapavijën kurbinase.
Vetëm vulum loje e harkime drejt qendrës pothuaj asnjëherë të arritshëm nga sulmuesit krutanë me mundësinë e fundit të fiksuar në këmbët e Stojanovic në minutën e 5 shtesë. Dalja e pasigurtë e Dajsinanit mbeti e pandëshkuar dhe krutanët dalin të mundur për herë të parë pas 5 takimeve mes kampionatit e kupës. Laçi ndërkohë shkon në 8 pikë dhe afrohet dy distanca nga zona e shpëtimit.