Laçi-Tirana, ishte çifti i fundit i javës së 13-të të kategorisë Abissnet Superiore. Fiton me meritë Laçi, me një gol të shënuar në minutën e 90-të nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit me autor Redi Lushkja.
Përpos dy kampeve përkatëse, vendasve për t’u ngjitur në tabelë, dhe miqve nga Tirana për të mbajtur diferencën si krysues me ndjekësit e saj, sfida në fjalë pritej me shumë interes edhe nga dyshja ndjekëse Kukësi-Vllaznia, të cilët shpresonin një hap të gabuar të bardhebluve. Dhe, ndodhi pikërisht kjo e fundit, ku fitorja e Laçit bën që kampionati të rihap garën në luftën për fitimin e titullit kampion.
Kurbinasit, realisht luajtën për vete, sepse me këtë fitore të merituar shkojnë në kuotën e 21 pikëve duke mbajtur vendin e katërt në tabelë. Një vend që e kishte edhe përpara ndeshjes, por tashmë me vetëm dy pikë më larg se sa Vllaznia e vendit të tretë dhe dy nga Kukësi i vendit të dytë.
Por, krahas shërbimit që i bëri vetvetes duke u pozicionuar fare pranë treshes kryesuese të kampionatit, Laçi i shërbeu edhe interesave të Kukësit dhe Vllaznisë, duke ia bërë disi më të lehtë mundësinë e kapjes kreut që tashmë e kanë shumë pranë, me veten 3 dhe 4 pikë.
Megjithatë, parë në aspektin professional, një logjikë e mirëfilltë rreth ecurisë së kampionatit, të bën të mendosh se rritja e ndieshme e laçjanëve është një kërcënim jo pak serioz për treshen e parë, Tiranën, Kukësin dhe Vllazninë.
Që do të thotë se Superiorja e futbollit shqiptar pritet të jetë edhe shumë më e bukur në javët në vazhdim. Dhe, këtu e kemi fjalën, jo vetëm për luftën dhe rivalitetin që po shfaqet për zonën europiane dhe titullin kampion, por në të njëjtën kohë edhe për katin e poshtëm të renditjes, aty ku pas fitores së javës së 13-të të Kastriotit me Egnatian, konkurenca për t’i shpëtuar rënies nga kategoria shtohet edhe shumë më tepër.