Dueli mes Laçit dhe Partizanit, takim ky i vlefshëm për javën e 23-të Abissnet Superiore është mbyllur në barazim, 0-0. Me këtë barazim të regjistruar në stadiumin kurbinas, përfitojnë Egnatia dhe Vllaznia, që mbajnë kreun me pikë të barabarta me Partizanin.
Një ndeshje me dy pamje, ku vendasit kanë qenë më kërkues në pjesën e parë, duke dominuar kundërshtarin, madje i janë afruar golit në disa raste, por portieri Qirko ka ruajtur të paprekur portën e Partizanit.
Edhe në pjesën e dytë janë kurbinasit ata që shfaqen më kërkues, por nuk arrijnë që të finalizojnë rastet e krijuara. Mbyllet në barazim pa gola sfida, me dy skuadrat që ndajnë nga një pikë.
Partizani ngjitet në kuotën e 39 pikëve, ndërsa Laçi shkon 24 pikë. Kujtojmë që dy skuadrat do të përballen sërish në mesjavë në një sfidë të vlefshme për Kupën e Shqipërisë.