Sunday, September 8, 2024

Laçi-Vllaznia X. Një pikë në javën e tetë që nuk i vlen asnjërës skuadër

Lexo

Laçi-Vllaznia 1-1(Shënues: Adeleke 52’/Marku 67’)

Laçi: Dajsinani, Roganoviç, Velkovski, Alla, Turkaj; Borisyuk, Ujka, Cucin, Ziko; Mazrekaj, Adeleke. Trajner: Dejan Vukiçeviç.

Vllaznia:  Zogoviç; Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Smajli; Kruja, Alivoda, Marku; Mala, Aralica, Hoxhaj. Trajner: Mirel Josa.

Gjyqtarë: Juxhin Xhaja (Tiranë), Denis Rexha (Tiranë), Arbër Zalla (Tiranë), Daniel Vrapi (Tiranë). VAR Klodian Shahini (Durrës)-AVAR Nertil Bregasi (Tiranë)

Laçi dhe Vllaznia e kanë mbyllur në paqe ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Laçit, duke ndarë nga një pikë që një farë mënyre, për domosdoshmërinë që vlente marrja e fitores, nuk i vlen asnjërës skuadër.

Një pjesë e parë e dyluftuar nga të dyja skuadrat, por pa prodhuar asnjë gol. Ndërkohë që 45 minutëshi i dytë do të fillonte me gol, ku vetëm shtatë minuta nga starti, në të 52-tën, vendasit do të zhbllokonin  rezultatin me anë të sulmuesit të tyre, Adeleke, lojtari më i spikatur në radhët e tyre.

Vllaznia nuk e pranon kurrësesi disavantazhin dhe hidhet e tëra në sulm në kërkim të golit të barazimit, ku në njërin nga sulmuet e saj, është Marku, që në minutën e 67-të, i gjendur brenda zonës nuk fal, ku e majta e potente e tij e çon topin direkt në rrjetën e Dajsinanit.

Barazim 1 me 1, që asnjëra nga skuadrat nuk e pranon. Janë veprimet sulmuese, qoftë të Laçit dhe të Vllaznisë që shprehin hapur, se nuk janë të kënaqur me një pikë. Ndaj, aksionet e rrezikshme shkojnë, sa në njërën portë tek tjetra, por portjerët respektiv, Dajsinani dhe Zogoviç janë në lartësinë e duhur duke mos lejuar të preken më rrjetat e tyre. Një gjë të tillë e bëjnë edhe në pesë minutat shtesë, që për hirë të së vertetes janë jo pak emocionuese, sepse me rastet e krijuara, fitorja mund të bëhej realitet në secilin prej kampeve përkatëse.

Dhe, vërshëllimat e fundit e kryesorit tiranas, Juxhin Xhaja fikson vetëm  një X në këtë sfidë duke bërë që Laçi dhe Vllaznia të ndahen në paqe me nga një pikë secila, që duket se nuk kënaq asnjërën prej kampeve kundërshtare.

Me këtë barazim, pas fitores së sotme të Teutës, kurbinasit mbesin sërishmi në fund të tabelës së klasifikimit me 8 pikë, ndërsa Vllaznia e pesta me 11 pikë duke humbur shansin të ngushtojë diferencen me skuadrat e kreut.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img