Ndërkohë që kombëtarja jonë e futbollit po kryen formalitetet e fundit përpara sfidës shumë të rëndësishme që do të ketë të mërkurën në përballjen ndaj Bjellorusisë, një lajm aspak i mirë vjen për trajnerin Edi Reja. Lajmin e bën të ditur gazetari sportiv i RTSH Sport Alban Hasani, i cili ndërkohë që vijon të transmetojë live ndeshjen e kombëtares së Shpresave U-21 në mes Anglisë dhe Shqipërisë, përcjellë për opinionin sportiv lajmin tronditës të kuqezinjëve tanë. Nga sa bëhet e ditur, kanë qënë analizat që skuadrat bëjnë sipas rregullores së periudhës së pandemisë 24 orë përpara ndeshjes Bjellorusi-Shqipëri kanë nxjerrë pozitiv mbrojtësin Elsajed Hysaj. Shkodrani që luan në serinë A me Napolin është detyruar të lërë ambientet e grumbullimit të kombëtares për të nisur kështu karantinimin si person i prekur nga Covid-19. Në prag të kësaj finaleje vendimtare për kualifikimin në grup, mungesa e një lojtari të tillë me përvojë si Hysaj është një goditje e rëndë për formacionin kuqezi.