Zoran Zekiç nuk është trajneri i Partizanit dhe të mërkurën kroati ka bërë edhe ndarjen formale me lojtarët që i drejtoi që nga vera. Klubi i Partizanit njoftoi të martën në mbrëmje arritjen e marëveshjes me NK Osijekun për transferimin e trajnerit, i cili për shkak të arsyeve familjare, ka kërkuar të vazhdojë profesionin afër familjes së tij. Dhe duke bërë shaka me lojtarët që po shikonte fytyra të qeshura sepse ata janë të lumtur që ai po largohet, trajneri Zekiç i ka falënderuar për bashkëpunimin.
“Dua t’ju falënderoj për këto 4 muaj dhe uroj të më kujtoni në mënyrë të mirë. Nëse në ndonjë rast ju kam shtyrë, ka qenë për arsye profesionale. Ju uroj më të mirën. Ju keni të gjithë numrin tim, nëse dëshironi të dëgjoni ndonjëherë se si jam, ose nëse ka ndonjë gjë me të cilën mund t’ju ndihmoj. Ju uroj më të mirën në jetë, profesionalisht dhe së pari me familjen dhe uroj që të shoh disa nga ju të luajnë në Evropë. Për mua ajo do të ishte me ë mira. Faleminderit”.
Duhet theksuar se trajneri kroat e mori Partizanin si kampion në fuqi, por duke u eliminuar nga turet eliminatore të Ligës së Kampioneve, e duke vijuar deri në fazën e “play-off”-it të Ligës së Konferencës, por pa mbërritur dot në fazën e grupeve. Ai e lë Partizanin në vendin e 5-të të renditjes së Kategorisë Superiore, me 11 pikë të grumbulluara në 6 ndeshje, 5 pikë prapa Egnatias kryesuese, por të kuqtë kanë luajtur dy ndeshje më pak, ndërsa sfida e radhës, është derbi i shtyrë i kryeqytetit me Tiranën, që luhet më 19 tetor në stadiumin Air Albania në kryeqytet.