Lamtumirë Saimir Demi! Homazhe në nder të gazetarit sportiv të RTSH

Në hollin e Radio Televizionit Shqiptar po mbahen homazhet e lamtumirës për gazetarin sportiv Saimir Demi, i ndarë nga jeta para kohe.

Miq, kolegë dhe komuniteti sportdashës respektojnë figurën e tij dhe kontributin e lënë pas në medien e shkruar dhe vizive.

Fjalët janë të pakta për këtë moment të dhimbshëm jo vetëm për ne kolegët, por edhe familjarët.

Në një intervistë të rastit me gazetarin Dëfrim Methasani, sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku, kujtoi raportin e afërt me mikun e tij të ndjerë.

Nga ana profesionale pa diskutim që ka qenë një nga gazetarët sportivë më të mirë, por do të thoja edhe nga ana njerëzore, familjare, si një shok i mirë, unë kam mbresa të pashlyera me Saimirin,” u shpreh z. Shulku.

Pavarësisht se dhimbja nuk mund të hiqet, të jep njëfarë ngushëllimi shpirtëror kur shikon se sa shumë njerëz dhe dashuri është mbledhur rreth këtij njeriu, që vërtet e meritonte. Gjithkush ka bërë minimumin e asaj që ka bërë Saimiri gjatë jetës dhe karrierës së tij si një mësues, gazetar me përvojë, me tolerancë e intuitë të rrallë, në një gazetari ku shpesh po humbet kuptimi i fjalës, ai ishte ndër të rrallët që i dinte peshën dhe rëndësinë fjalës dhe dinte ta përdorte atë me kujdes. Ishte një edukator i brezave të tërë të gazetarëve, ku përfshihem edhe unë. Nëse Saimiri gazetar ishte një emblemë, Saimiri njeri ishte e pamundur të gjesh fjalë për t’i përshkruash mirësitë dhe karakteristikat e tij,” tha kryeredaktori i RTSH Sport, Rinald Bregasi, gjatë kryerjes së homazheve në hollin e RTSH-së.

Kryeredaktori i lajmeve në redaksinë e Sportit në Radio Televizionin Shqiptar, ndërroi jetë pas një beteje të gjatë me sëmundjen, në moshën 57-vjeçare. Demi lë pas një trashëgimi të paçmuar dhe një vend të pazëvendësueshëm në panteonin e gazetarisë së shkruar dhe audiovizive.

RTSH u bashkohet në këtë hidhërim familjarëve të tij.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu