Monday, November 25, 2024

Liga e Kombeve-Trajneri Silvinjo dhe Ismajli në konferencë shtypi përpara ndeshjes me Gjeorgjinë: Nesër luajmë vetëm për rezultat pozitiv

Lexo

Pas ndeshjes me Çekinë, Kombëtarja do të luajë nesër ndeshjen e dytë të muajit tetor ndaj Gjeorgjisë, e vlefshme për Nations League. Në prag të kësaj sfide, trajneri Silvinjo dhe mbrojtësi Ardian Ismajli dolën në konferencën zyrtare për media nga stadiumi ku do të luhet ndeshja, “Mikheil Meskhi”.

Trajneri Silvinjo tha se Shqipërisë i duhet vetëm rezultat pozitiv nesër në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë për të arritur objektivin që është vendi i parë në grup. Trajneri vlerësoi Gjeorgjinë, ndërsa iu rikthye ndeshjes së parë me këtë kundërshtar në Tiranë, komentoi mungesat e Gjeorgjisë dhe foli për skuadrën, ndërsa nuk dha asnjë detaj rreth formacionit që pritet të hedhë nesër në fushë.

Mungesat te Gjeorgjia – Kçorashvili është një lojtar i madh, por themi se janë një ekip i fortë, taktikisht i rreshtuar shumë mirë, ka edhe shumë lojtarë të mirë. Është një ekip i fortë, fizikisht, taktikisht, ka cilësi teknike, nisen në kundërsulm me shumë kualitet. Thuajse gjithmonë shkojnë në portë. Ai është mungesë e rëndësishme se është lojtar i mirë por jam i sigurt se kush shkon në fushë do jetë me 100 km/orë. Nuk ndryshon gjë për ne, është ekip i fortë për t’u mundur, nuk është ekip i thjeshtë.

Formacioni? – Kemi shpenzuar shumë energji në ndeshjen e kualuar. Çekia është një skuadër shumë fizike, bën edhe tranzicion. Ishte një ndeshje shumë e vështirë edhe nesër po ashtu. Në grupin ku ne bëjmë pjesë mund të ndodhë çdo gjë. Nuk e dimë ende për formacionin, kemi bërë një udhëtim të gjatë nga Praga këtu, kemi ardhur vonë në hotel, do ta kuptojmë nesër. Kemi stërvitjen, të flasim me lojtarët dhe nesër kemi një ditë kohë që të vendosim. Ne kemi lojtarë që mund të hyjnë në fushë dhe i besojmë 100%, por zgjedhjen do ta bëjmë nesër”.

A ndiheni në presion para kësaj ndeshje? – Nesër duhet të marrim pikë duke qenë se bëhet e vështirë për ta arritur objektivin. Ne duhet të jetojmë me këtë realitet. E dimë që nëse marrim një rezultat negativ nesër, nuk na shërben për të arritur objektivin që ne kemi. Ne na shërben nesër vetëm fitorja dhe tre pikët. Kemi një mini-avantazh, duke qenë se në nëntor, i luajmë të dyja ndeshjet e fundit të edicionit në shtëpi. Por është shumë e rëndësishme që ne të japim 100% tonë nesër dhe të marrim rezultat pozitiv. Ata janë shumë të fortë, por edhe ne jemi një ekip i fortë.

Fitorja e Gjeorgjisë në Tiranë dhe ndeshja Ukrainë – Gjeorgji? – Që në fillim kam menduar se grupi është shumë i ekuilibruar, ka balancë në grup, do të ndahen shumë pikë nga të gjithë anët, çdo ndeshje do të jetë shumë e vështirë, mund të ndodhë gjithçka. Ndeshja e parë në Tiranë sipas meje ishte një ndeshje 50-50, ndeshje e vështirë taktike dhe fizike. Gjeorgjia është një ekip i madh, Sanjol po bën një punë shumë të mirë prej kohësh, po bën shumë mirë, ka në ekip lojtarë të mëdhenj. E kemi parë ndeshjen, por duhet të mundohemi të bëjmë diçka ndryshe, por po luajmë jashtë, do të jetë e vështirë, të shohim. Më e rëndësishme është të dalim në fushë dhe të bëjmë gjithçka. Ne kemi respekt për Gjeorgjinë, por nuk kemi kohë për të humbur, do të jetë një ndeshje e vështirë. Ndeshjen e Gjeorgjisë me Ukrainën e pashë, ishte 50-50, ndeshje e vështirë. Ukraina ka lojtarë të mirë, por Gjeorgjia bëri mirë. Por në fund është balanca mes të gjithëve, me një gabim pëson gol dhe je i vdekur. Kjo është ajo që ndodhi me Gjeorgjinë. Nesër pres të njëjtën ndeshje, shumë të vështirë, duhet shmangur çdo gabim, por do të jetë shumë e vështirë për këdo.

Ardian Ismajli vlerësoi kundërshtarin e radhës, Gjeorgjinë dhe shtoi se nesër Kombëtarja synon të marrë tre pikët në “Mikheil Meskhi”, pasi vetëm fitorja i mban në garë për vendin e parë.

Ndeshja me Gjeorgjinë? – Ne kemi ardhur këtu për tre pikët, rrugë tjetër nuk ka. Vetëm fitorja na mban në garë për vendin e parë. Me përkushtim, jemi të gjithë të bashkuar dhe besojmë që nesër do të dalim me tre pikë nga ky stadium.

Reagimi i skuadrës pas ndeshjes me Çekinë? – Po e vërtetë, kemi dy humbje në dy ndeshjet e fundit. Besoj që në ndeshjen e parë me Gjeorgjinë nuk e kemi merituar humbje. Megjithatë, tashmë është e kaluar. Duhet të shikojmë përpara. Vetëm fitorja na bën punë. Kemi ardhur për tre pikët, shpresojmë që t’ia dalim. Vetëm tre pikëshi na mban në garë për vendin e parë.

Si ndalohet Kvaratskhelia? – Të gjithë e njohim Kvaratskhelian për kualitetin dhe aftësitë që ka. Por ashtu si në ndeshjen e parë që ia kemi dalë ta ndalojmë, besoj që do e ndalim edhe nesër sepse grupi e bën rezultatin dhe ndeshjen. Dhe sidomos ne mbrojtja për ndalimin e aksioneve të kundërshtarëve.

Ekipi i Gjeorgjisë? – Saba ka një vit që ka ardhur te Empoli nga Gjeorgjia. Është shumë i talentuar, ka shumë aftësi fizike dhe teknike. Po luan si titullar dhe ka bërë shumë mirë, ashtu si i gjithë ekipi. Besoj dhe shpresoj që edhe ai do të vazhdojë me këtë ritëm dhe do të ketë një karrierë shumë të madhe. E dimë kualitetin e Gjeorgjisë, pikat e tyre të forta. Trajneri dhe stafi kanë analizuar çdo aspekt. Me punë, përkushtim dhe me një motiv shtesë nesër besojmë që do t’ja arrijmë qëllimit.

Si do ta ndaloni ekipin gjeorgjian nesër? – Ne do të futemi në ndeshje për të bërë më të mirën tonë, siç kemi bërë deri tani. Dy ndeshjet e fundit nuk kemi marrë rezultatet që kemi dashur, por shpresojmë që nesër do ia dalim. Sa i përket Gjeorgjisë, ekipi juaj më shumë luan me kundërsulme dhe me skemën 5-3-2. Ne shpresojmë se do t’ia dalim.

Mesazhi për tifozët? – Ashtu si Gjeorgjia erdhi në Tiranë për të luajtur, edhe ne kemi ardhur për të lozur futboll. Nuk e di se çfarë ka ndodhur në Air Albania dhe përsa i përkët tifozët gjeorgjanë, ne kemi ardhur për të lozur futboll, për të bërë më të mirën. Jemi profesionistë dhe këtë e kemi treguar gjithmonë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img