Më në fund e kemi listën e futbollistëve që do të na përfaqësojnë në Europianin e Gjermanisë. Të hënën e kaluar, gjatë një konference për shtyp, trajneri i Kombëtares sonë të fubollit, tashmë banori më i ri i lagjes “Çlirimi” në Lushnje, shpalli listën prej 27 futbollistësh dhe të premten e 7 Qershorit do të dorëzojë në UEFA listën zyrtare të Shqipërisë në EURO 2024.
Një listë prej 26 futbollistësh. Pra, një prej listës së të hënës nuk do të shkojë në Gjermani. Me shumë gjasë, portieri i katërt Simon Simoni. Nuk diskutohej fare që do të ishte e zhurmshme lista e Silvinjos. Kështu ndodhi dhe në fakt kështu ndodh kudo.
Zgjedhja e futbollistëve është ekskluzivitet i trajnerit. Dhe këtë duhet ta pranojmë. Duhet ta marrim të mirëqenë. Por, edhe mund ta komentojmë. Dhe këtë do përpiqem të bëj unë, në mënyrë krejt modeste. Do t’i them gjërat ashtu siç unë di t’i them, troç! Pa pretenduar kurrë të kem monopolin e së vërtetës. Unë nuk besoj te qokat. Unë besoj që këtë listë Silvinjo e ka bërë vetë. Pa ndërhyrjen e agjentëve të fubollit apo FSHF-së. Sepse i pari shqiptar në botë që i intereson suksesi i Kombëtares në Euro 2024 është vetë Silvinjo.
Lajmi i parë i shkëlqyer është që kjo Kombëtare do të ketë pikë reference Armando Brojën. Pra, do të organizohet rreth tij. Europiani do të jetë shansi i artë i tij për të treguar se sa vlen. Jo vetëm për tifozët shqiptarë, jo vetëm për të gjithë ne, por edhe për të gjithë klubet që po e vëzhgojnë me shumë kujdes sulmuesin shqiptar.
Pres një shpërthim të Armando Brojës. Por, unë mendoj që në vend të Naser Alijit, Medon Berishës dhe Arbër Hoxhës mund të ishin dhe duhet të ishin tre emrat më të rëndësishëm që u përjashtuan nga Silvinjo: Sokol Cikalleshi, Myrto Uzuni dhe Keidi Bare. Shqipëria nuk e ka luksin të mos t’i ketë të tre në Europian.
Sulmuesi Sokol Çikalleshi ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga Kombëtarja, një ditë pasi Silvinjo e la jashtë Europianit. Ai reagoi si kampion kur deklaroi se “ka qenë një krenari të mbante veshur fanellën e Kombëtares dhe se i uron shumë fat shokëve të tij në Europian dhe për të bërë një paraqitje dinjitoze”. Po pse u la jashtë??? Si mund të lihet jashtë titullari i padiskutueshëm i eliminatoreve të Europianit??? Si mund të lihet jashtë një nga ata më kryesorët që na sollën deri këtu??? Cikalleshi duhet të ishte! Mund të përfitonim shumë nga eksperienca e tij.
Myrto Uzuni, 11 gola në La Liga, duhet të ishte! 11 gola në kampionatin spanjoll, një ndër 2-3 kampionatet më të fortë dhe më të bukur në botë. Si ka mundësi të mos jetë në Europian??? Mos ka diçka personale mes trajnerit dhe lojtarit???
Keidi Bare, duhet të ishte! 37 ndeshje në Spanjë këtë sezon, mes La Liga 2 dhe Kupës së Mbretit. Edhe Bare ka reaguar për herë të parë që nga publikimi i listës. Ai ka postuar një foto në Instagramin e tij ku shihet në stërvitje me Espanjolin duke qeshur me të madhe. Një qeshje ironizuese për situatën në fjalë…
Të tre emrat më të rëndësishëm që u përjashtuan nga Silvinjo janë personalitete të futbollit shqiptar. Dhe e fundit… Në këtë listë duhet të ishtë edhe një futbollist i kampionatit shqiptar të futbollit. Jo vetëm për ta respektuar kampionatin tonë, por edhe pse futbollisti në fjalë e meriton. Portieri i Egnatias Alen Sherri e meritonte plotësisht të ishte në listën e Kombëtare. Portier i klasit europian që këtë vit realizoi dopjetën Kupë-Kampionat me skuadrën e tij.
Ervin BAKU, Gazetar sportiv