Rrogozhinasit ia dolën ndaj Vllaznisë, duke u kualifikuar në finalen e “Final Four”. Pas sfidës, kapiteni i Egnatias, Renato Malota, u shfaq tepër i lumtur dhe u shpreh pas sfidës:
“Presionin e Vllaznisë nuk e ndjemë shumë, kishim më shumë presionin që kemi qenë gjatë gjithë vitit në vendin e parë dhe ishte domosdoshmëri që të shkonim në finale dhe ia arritëm.
Nuk i trembemi Partizanit, e kemi treguar dhe në përballjet gjatë gjithë vitit, do t’ia lemë finales, do të jetë finale spektakolare.
Në fund çdo ekip do të hidhet në sulm për të arritur objektivin. Ne i kishim rastet më të pastra. Kam dyshimet e mia te goli, nuk pashë ndonjë devijim me dorë për t’u anuluar goli. Finalja është komplet gjë tjetër, është ndeshje që çdo lojtar e ka ëndërruar.
Kemi humbur një finale, ku e kemi dominuar totalisht Partizanin atë ndeshje, por do ia lemë fushës. Përvoja vlen shumë në këto ndeshje, për peshë fanellë, Partizani është favoritë, luhet në Tiranë, do ketë tifozë më shumë. Jam besimplotë që do ta përballojmë me sukses atë ndeshje”, u shpreh Malota.