Vllaznia dhe Dinamo kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 29-të të “Abissnet Superiore” me shifrat 0-0. Pas ndeshjes, foli para mediave trajneri Edi Martini:
“U futëm në ndeshje për të fituar. Dinamo luajti mirë, por ne kishim 61% të topit. Duhej të kishim fituar këtë sfidë. I tillë është futbolli. Ne ia falëm 2 raste Dinamos në pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë, u munduam për të qenë më stabël. Kërkuam me insistim për të fituar ndeshjen. Gjithsesi, lojë e mirë, por na duhen pikët. Ndoshta edhe fat. Futbolli kështu e ka.
Janë ndeshje tepër të tensionuara. Na mungoi qetësia në pasin e fundit. Dinamo ka individ shumë të mirë, pavarësisht se nuk kanë marrë rezultatet. Habitem që Dinamo është në këtë gjendje. Për mua është një nga ekipet më të mira. E patëm të vështirë markimin. Kurse për topat e gjatë, kishim planifikuar që me Yagon dhe Malën t’i shfrytëzonim në maksimum.
Kemi dalë shumë herë nga krahu i djathtë, por na mungoi pasimi final. Mungesa e Kastratit na ka prishur punë, por edhe Malaj bëri ndeshje shumë të mirë sot”.


