Disa ditë pushim…dhe trajneri kampion Edi Martini rikthehet përsëri në krye të kampionëve. Rikthehet për të vazhduar aty ku e la, rikthehet, sepse kështu e ka menduar presidenti Edmond Hasanbelliu.
Nga sa bëhet e ditur, edhe në momentin e dorëheqjes surprizë të Edi Martinit, pas asaj humbje të fundndeshjes me Partizanin që realisht nuk ishte për faj të tij, presidenti Hasanbelliu nuk ka qënë i bindur për këtë veprim.
Megjithatë, Hasanbelliu bën atë që ndoshta pak president mund të bëjnë. Pasi ka vëzhguar, analizuar dhe logjikuar me qetësi situatën në fjalë, njëshi i klubit durrsak ka kërkuar që profesori të rikthehet në detyrë dhe të marrë frenat e skuadrës durrsake në dorë. Ka ndodhur kështu mbrëmjen e sotme duke rikonfirmuar Edi Martinin, trajnerin më të suksesshëm në historinë e klubit durrsak, sërishmi në krye të Teutës së Durrësit.
Lajmi i publikuar ekskluzivisht në “Panorama Sport” është pohuar edhe nga palët përkatëse, dhe që prej paraditës së mërkurë, shkodrani Martini do të jetë në stervitje me skuadrën e tij Teuta për të përgatitur sfidën e radhës, atë të javës së 14-të të Superiores, kur mbrëmjen e së dielës, duke filluar nga ora 19.45, durrsakët do të jenë mysafirë në kryeqytet për t’u ndeshur me Tiranën.
Sa i përket Renato Arapit, i cili pas dorëheqjes së Martinit mori drejtimin e skuadrës, sipas presidentit Hasanbelliu, ai do të rikthehet në postin e tij të mëparshëm të drejtorit teknik.