Vora dhe Vllaznia kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, përfundoi me shifrat 0-0. Pas këtij dueli ka folur edhe trajneri i shkodranëve, Edi Martini.
“180 minuta pa gol? S’jam i shqetësuar, por nuk dua që të justifikohem. Te pjesa e sulmit janë disa të dëmtuar, disa gjysmë të dëmtuar. Kështu që nuk jam i mërzitur pse nuk shënuam, sepse e di që shumë shpejt do të dalim te goli. Por jam i shqetësuar sepse sot donim 3 pikët.
Kthimi i Muratajt mbrapa është një lojë që ne e kemi bërë, por sot u dallua. Në të dy krahët kemi Gurishta dhe Kuro, dy mbrojtësa tipik. Të dy mbrojtësa dhe loja ngadalësohet, sot kanë luajtur të sforcuar në ato role. Do ishte ndryshe që të kishim Yago dhe Kastratin nga krahët. Por gjithsesi çdo ekip ka faza që nuk është mirë. Kemi 3 ndeshje që nuk jemi mirë, ndeshja e së hënës vjen shpejt, djemtë kanë nevojë për mbështetje. Këto pikë që lamë këtu, duhet të shkojmë t’i marrim në Elbasan.
Normalisht që unë pres nga ndeshja në ndeshje që të kthejmë. E gjithë pjesa e sulmit, normalisht për t’u justifikuar, gjë që unë se bëj, pres që lojtarët si Kallaku, Mala, Yago, Bismark, janë gjysmë. Mala dhe Yago s’do i fusja sot, pasi janë akoma të dëmtuar. Por kemi për t’u bërë shumë shpejt ekipi që kemi qenë përpara. Edhe kështu, s’kemi frikë asnjë.
Kryesimin ta merrni në Elbasan? Ndeshjet në Shkodër dhe jashtë janë të njëjta, për t’i fituar. Kemi fituar shumë ndeshje rresht në Shkodër, kemi edhe ne ndeshje jo të mira. Kemi bërë ndeshje të mira edhe jashtë, edhe pse s’jemi në ditët e mira. Në çdo ndeshje luajmë me presion lart, s’na ndikon Shkodra apo një fushë tjetër. Me tifozët me vete kemi më entuziazëm, por s’do të thotë që s’do të shkojmë në Elbasan për të mos fituar”, tha Martini.



