Largimi i trajnerit Bledar Gjeçaj në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit të Kosovës duke shërbyer si zëvendëstrajner tek skuadra prizrenase, KB Bashkimi, bëri që Vllaznia e basketit femra për të rritura të jetë pa trajner. Në këto kushte, pas konsultimeve të shumta nga ana e Shoqatës së Basketbollit Vllaznia, është vendosur që vendin bosh të lënë nga trajneri Gjeçaj ta zërë Medina Mustafa.
Mustafa, është një nga basketbollistet me me përvojë të ekipit Vllaznia, e cila edhe sezonin e kaluar ishte pjesë e skuadrës kuqeblu të drejtuar nga trajneri Gjeçaj, madje kishte edhe shiritin e kapitenes. Ndërkohë, në të njëjtën kohë që luante për ekipin e parë, Medina Mustafa kryente edhe detyrën e trajneres së Vllaznisë në basketboll për të reja duke arritur të shpallej kampione e Shqipërisë. Në CV-në e Medina Mustafës ka edhe një tjetër përvojë pozitive me ekipin kombëtar të të rejave duke qënë në rolin e zëvendëstrajneres kuqezi.
Siç shikohet edhe në foton që shoqëron shkrimin, ish trajneri i Vllaznisë në basket femra Bledar , një ditë përpara se të nisej drejt Kosovës për t’iu bashkuar Klubit të Basketbollit Bashkimi ka zhvilluar një takim me tre basketbollistet kryesore të ekipit, Medina Mustafa, Ingrid Dashja dhe Bernarda Reshpja, me të cilat ka diskutuar vazhdimësinë e punës në radhët e ekipit kuqeblu, për të vijuar punën e mirë që ato kanë nisur së bashku, por që në një tardhme jo të largët, mund të ribashkohen përsëri te Vllaznia
Krahas vendimit për emërimin e Medina Mustafës në krye të ekipit kuqeblu për të rritura, Shoqata e Basketbollit Vllaznia së bashku me sponsorin Sokol Dibra ka vendosur që basketbollistja Ingrid Dashja të marrë drejtimin e Vllaznisë në basketboll për të reja. Edhe kjo një nga basketbollistet me shumë përvojë në radhët e Vllaznisë, e cila krahas kontributit si basketbolliste në fushën e lojës, tashmë do të jetë në detyrën e trajneres së ekipit Vllaznia për të reja, post të cilin deri më atsh e kishte Medina Mustafa.