Partizani nuk përfitoi nga barazimi i Vllaznisë. “Demat” e mbyllën në barazim pa gola derbin me Dinamon, dhe vijojnë të jenë pesë pikë larg Vllaznisë e cila është në vendin e katërt. Pas barazimit 0-0 me Dinamon, ai tha për “SuperSport” se skuadra kishte bërë thuajse gjithçka mirë.
“Vazhdojmë të vuajmë pjesën e sinkronizmit dhe qetësisë përpara portës. Nxitohemi në mënyrën se si duam ta gjejmë golin, kështu u treguam në 2-3 momente. Janë situata që duhet t’i zgjidhësh me qetësi dhe durim këto situata.
Më pas lojtarët tregohen të padurueshëm për të shkuar te goli. Skuadra ishte e motivuar maksimalisht, por çdo ndeshje ka historinë e vet. Nuk do të thotë se e ke të lehtë përballë një skuadre që e ke mundur më parë.
Kundërshtari ishte vendosur me shumë forcë mbrapa. U mundova të vertikalizoj me Kallakun dhe Malën. Kallaku duhet të kishte gjuajtur më mirë në pjesën e parë, Cara u vonua te mundësia e tij. Humbjet e këtyre rasteve ndikojnë që lojtarët të humbasin qetësinë.
Ka disa situata në lojë që drejtohen nga lojtarët. Te fitorja shkohet duke qenë i duruar, nuk duhet të dalësh jashtë filozofisë tënde, fitorja vjen edhe në minutën e 90’ apo 95’.
Kishim edhe problem fizike, por nuk është justifikim. Lëvizjet e Malës ishin zgjedhjet e mia, duhet të përshtatemi edhe përballë kundërshtarit. Duhet të ishim shumë më konkret. Problemin e kemi te 20 metrat e fundit.
Lojtari para mbrojtjes? Duhet të përshtatemi, lojtarët që kam në atë pozicion janë me natyrë tjetër. Unë jam munduar të përshtas lojtarët që kam.
Gjithmonë jam munduar që objektivi i radhës të jetë ndeshja në vazhdim. Nëse shohim larg, nuk shohim atë që kemi afër. Sot humbëm 2 pikë, duhet të ishim me më shumë personalitet në 20 metrat e fundit. Dinamo nuk na rrezikoi, ndërsa ne humbim qetësinë në 20 metrat e fundit.
Nuk është aq e lehtë të sinkronizosh mënyrën e lojës së Kallakut. Jam munduar shumë që të jetë ai lojtari që na jep qetësinë dhe pasin e fundit në 20 metrat e fundit, por është e vështirë, pasi edhe Skuka ka nevojë për hapësira. Jam munduar që ta mësoj të bëj kundër-veprime dhe lëvizje të shumta, por është e vështirë.
Linja e parë e sulmit ka ndryshuar. Kam përdorur Malën, Stenio Junior dhe Carën. Tani kemi edhe Kallakun dhe Skukën. Te pasimi i fundit vuajnë edhe skuadrat e mëdha”, deklaroi trajneri i Partizanit.