KF Shiroka është e dashuruar me trajnerët e huaj. Pas një përvoje pozitive me trajnerin italo-argjentinas Matias Tatangelo, i cili duke pasur në krah kolegun e tij Ardit Mani, bëri një paraqitje të shkëlqyer gjatë fazës së parë të kampionatit, i larguar në ndryshimin e viteve me destinacion pankinën e Ilirisë, drejtuesit e Shirokës kanë gjetur menjëherë pasuesin e tij.

Ai është një tjetër i huaj, që këtë radhë vjen nga një tjetër vend tradite i futbollit si Portugalia.
Bëhet fjalë për André Jasmins, i cili është prezantuar zyrtarisht mbrëmjen e së dielës në mjediset e Grand Hotel Europa nga menaxheri i njohur Ervis Domnori, njëkohësisht edhe në cilësinë e drejtorit sportiv të KF Shiroka.
André Jasmins, vjen në këtë detyrë duke sjellë me vetë edhe kolegun e tij Pedro Miranda, i cili do të luajë rolin e zëvendëstrajnerit.
Postimi zyrtar i KF Shiroka
Mirësevjen në Shkodër, André Jasmins
Klubi ynë ka kënaqësinë të njoftojë emërimin e André Jasmins si trajnerin e ri të ekipit. Tekniku portugez vjen në Shkodër me një eksperiencë të pasur dhe me një filozofi moderne futbolli, duke sjellë profesionalizëm, disiplinë dhe vizion të qartë për të ardhmen.
Pjesë e stafit teknik do të jetë edhe Pedro Miranda , i cili do të ushtrojë rolin e zëvendëstrajnerit.
Jemi të bindur se eksperienca e tyre dhe përkushtimi në punë do të kontribuojnë në zhvillimin dhe rritjen e ekipit, me objektiva të qarta për të ardhmen.
Mirësevini në familjen tonë dhe ju urojmë shumë suksese me ngjyrat tona!
Zyrtarizimi i stafit të ri teknik me dyshën e trajnerëve André Jasmins- Pedro Miranda, vjen pas dy firmave shumë të rëndësishme me futbollistët, Jakob Dreshaj dhe Arlind Kalaja, Ndërkohë, që deri në afatin e mbylljes së merkatos dimërore, presidenca pritet të zyrtarizojë edhe emra të tjerë futbollistësh cilësorë, në mënyrë që skuadra të jetë gati për fazën e dytë të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Dytë, starti i së cilës do të jetë me 31 janar 2026.
Gaspër MARKU



