Merkato-Esat Mala, mes Vllaznisë, Partizanit dhe Dritës kampione në Kosovë. Prizrenasit i ka mbaruar kontrata me kuqeblutë, por edhe pse ka pasur bisedime mes palëve, gjërat kanë ngecur diku

Esat Mala duket se do të jetë një “çështje” te Vllaznia gjatë kësaj vere. Prizrenasi që zhvilloi sezonin më të mirë në karrierë në atë 2024-‘25, ku shënoi 7 gola dhe dhuroi 12 asiste për momentin, duket më larg se sa afër shkodranëve.

Kontrata e 26-vjeçarit me 9 herë kampionët e vendit ka skaduar dhe bisedimet e saj për një rinovim kanë ngecur, pavarësisht se mendohej se gjithçka do ishte vetëm formale mes dy palëve. Por, duket se interesimi i skuadrave të tjera ka “prishur” punë në marrëdhënien e Malës me klubin, i cili, nga ana e tij, ndihet shumë mirë dhe i vlerësuar në Shkodër, ku përveçse është një nga futbollistët më cilësorë në ekip, shtatshkurtri gëzon një respekt dhe konsideratë të lartë edhe në qytet.

Megjithatë, duket se për momentin çështja lidhet vetëm me anën financiare, ku po diskutohen detajet mes palëve. Për Malën, në ditët e fundit një interes konkret ka shfaqur edhe Partizani, me të kuqtë që kërkojnë të rikthejnë ishmesfushorin e tyre.

Por “Panorama Sport” mëson se edhe Drita në Kosovë ka shfaqur interes për Malën me kampionët e rinj të futbollit dardan që te numri “20” shohin një përforcim shumë cilësor për skuadrën e tyre. Ky interesim i lartë për shërbimet e Malës patjetër “ngacmon” Vllazninë, që nga ana e saj nuk do të humbasë një nga “xhevahirët” e ekipit dhe mund të bëjë edhe një sakrificë për ta mbajtur në gjirin e saj prizrenasin, i cili duket se do të jetë një çështje e “nxehtë” në Shkodër në këto ditë të para të verës.

Endri ÇINARI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu