Shkodranët kanë qënë vazhdimisht pjesë e klubit të kuq të Partizanit. Që prej themelimit të klubit dhe deri më sot numërohen me dhjetra, pse jo edhe me qindra sportistë shkodranë që kanë veshur uniformën e këtij klubi. Këtu, nuk bëhet fjalë vetëm për futbollistë, një pjesë e mirë e të cilëve mobilizoheshin në shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por edhe për të gjitha sportet e tjera, atletikë, lojra me dorë, sportet e rënda, çiklizëm, not, etj.
Aktualisht, në FK Partizani, nuk ka asnjë shkodranë, por me të gjitha gjasat, shumë shpejt do të jenë dy të tillë që do të bëhen pjesë e tij. Bëhet fjalë për Arlin Kalanë dhe Marçelino Preken, i pari për llogari të repartit të sulmit dhe i dyti në repartin e prapavijës.
Nga sa bëhet e ditur, Kalaja, pas aktivizimit me Vllazninë, Teutën, Kukësin dhe Kastriotin, që prej janarit të këtij viti gjendet në Suedi ku është aktivizuar me sukses në klubin Ljungskile. Ftesa e marrë nga drejtuesit e Partizanit për të bashkëpunuar, është pritur me kënaqësi për Kalanë, ku edhe është paraqitur në stërvitje një ditë më parë. Shpejtësia, teknika dhe nuhatja jo pak e shënimit të golave, gjë që e ka bërë mjaft mirë edhe me Vllazninë, konsiderohen pozitive për skuadrën e kuqe, ku Kalaja pritet të bëhet pjesë e saj.
Ndërkohë, sa i përket 19 vjeçarit Marçelino Preka, gjatë ditëve të fundit ka pasur një interesim të vazhdueshëm nga drejtuesit e Partizanit për ta bërë të vetin. Preferencat për të kanë nisur që në një miqësore të zhvilluar mes Partizanit dhe Bylisit, aty ku shkodrani është pjesë prej dy sezonesh. Por, përpos shkëlqimit në miqësore, shtatlarti i qëndrës së mbrojtjes ballshiote ishte titullar dhe ndër më të mirët në fushën e lojës edhe në javën e parë të Superiores, teksa Bylis mundi Kastriotin 2-0. Për Preken, i cili është edhe pjesë e ekipeve kombëtare të moshave, por i grumbulluar edhe me ekipin e parë, ka pasur më herët disa oferta nga jashtë vendit, sidomos nga Portugalia, por për arsye edhe të moshës së re nuk është bërë e mundur transferta.
Sipas burimeve pranë dy klubeve përkatëse, mes Partizanit dhe Bylisit që zotëron kartonin e Prekës është gjetur gjuha e përbashkët që shtatlarti shkodran të kalojë tek Partizani. Gjithnjë sipas burimeve më të fundit, shkodrani mund të luajë të shtunën ndeshjen e fundit në formacionin e ballshiotëve në sfidën e transfertës me Teutën në “Niko Dovana”, dhe më pas java e re do ta gjejë në gjirin e të kuqve.