Sunday, November 24, 2024

Merkato-Shkodrani Rubin Hebaj firmos për Shkëndinë e Tetovës, vjen dhe prononcimi i parë për mediat

Lexo

Shkëndija e Tetovës ka bërë pronë të saj një nga futbollistët më të mirë të momentit në tregun shqiptar të futbollit. Bëhet fjalë për 22 vjeçarin e talentuar Rubin Hebaj, i cili deri pak ditë më parë ishte pjesë e Teutës së Durrësit, por tashmë ka veshur zyrtarisht fanelën e skuadrës tetovare të Shkëndisë së Tetovës. Nga sa bëhet e ditur, shkodrani Rubin Hebaj gjatë ditës së sotme ka kryer analizat përkatëse shëndetësore duke marrë OK nga specialistët shëndetësorë, dhe më pas ka ardhur zyrtarizimi i tij tek Shkëndija e Tetovës që është bërë pasditen e sotme dhe për këtë klubi tetovar nuk ka ngurruar ta përcjellë menjëherë lajmin zyrtar.

“Rubin Hebaj zyrtarisht është i Shkëndijës. Sulmuesi shkodran, pas largimit nga Teuta, u kontaktua nga kuqezinjtë dhe prej ditës së djeshme ishte në Tetovë. Parimisht palët e kishin gjetur akordin, ndërkohë që sot sulmuesi kreu vizitat mjekësore dhe nënshkroi.

Më pas erdhi edhe njoftimi: “ KF Shkëndija me kënaqësi komunikon marrëveshjen me Rubin Hebajn. Palët kanë gjetur akordin dhe është firmosur kontratë për 2.5 vite.

I lindur më 30 korrik të vitit 1998 në Shkodër, sulmuesi kontratën e parë profesionale e firmosi në vitin 2015 me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë, për të kaluar dy vite më vonë (2017) në Slloveni te NK Domzale.

Në sezonin 2018/2019 sllovenët e huazuan te Partizani i Tiranës ku me 4 gola ndihmoi skuadrën të fitonte titullin e kampionit në Shqipëri, ndërsa menjëherë pas kësaj pasoi kalim nga Domzale te Vorskla në Premier Ligën e Ukrainës.

Në janar të vitit të kaluar Teuta e Durrësit e ktheu në Shqipëri ku fitoi Kupën dhe SuperKupën, ndërsa vjen në Tetovë si përforcim për sulmin kuqezi. Shkodrani ka luajtur rregullisht me kombëtaret (U17, U19 dhe U21) e moshave të Shqipërisë

Hebaj është përforcimi i parë i Shkëndijës në merkaton e janarit dhe të gjithë në klub i dëshirojmë mirëseardhje dhe suksese me fanellën kuqezi”, shkruhet në faqen zyrtare të klubit tetovar.

Pamvarësisht moshës së re, Hebaj ka një përvojë të gjatë në shumë skuadra, brenda dhe jashtë vendit, ndërkohë që ka qënë pjesë e të gjitha skuadrave kombëtare të Shqipërisë, ku sërishmi është në listën dhe vemendjen e drejtuesve kuqezi. Si ish futbollist i Vllaznisë dhe i dalë nga Akademia e kqtij qyteti, Hebaj gjen në Tetovë një ish kuqeblu tjetër si trajneri Ernest Gjoka, me të cilin do të japin kontributin e tyre maksimal për të realizuar fitimin e trofeut në kampionatin maqedonas.

Prononcimi

Nuk ka vonuar, dhe menjëherë pas prezantimit zyrtare ka ardhur edhe prononcimi i parë i Rubin Hebajt në cilësinë e futbollistit më të ri në radhët e Shkëndisë së Tetovës.

 “Ndjehem shumë mirë në fakt. Të gjithë më pritën shumë mirë si ditë e parë në klub. Isha për të bërë vizitat mjekësore, u ndjeva tamam si në shtëpi dhe kisha ndjenjën që po vija në një klub shumë të madh si Shkëdija. Kohët e fundit Shkëndija ka bërë shumë mirë si në kampionatin maqedonas, ashtu edhe në Europë dhe gjithmonë në mesin e ekipeve shqiptarë që i kam ndjekur edhe në televizor ka qenë edhe Shkëndija për arritjet që ka pas. Gjithsesi vetë projekti i klubit më bëri të pranoj dhe me ardhë të firmos kontratën këtu për të bërë më të mirën për klubin. Shkëndija është një ekip ku flitet shqip dhe ndjehem sikur jam në shtëpinë time. Shpresoj që kjo hera e tretë që dal nga Shqipëria të jetë e treta e vërteta për të bërë një sezon shumë të mirë. Besoj që nuk mund të jap premtim, por mund të them që do të bëj më të mirën për klubin, do të mundohem të shënoj sa më shumë gola, sepse roli im është sulmues normal dhe ekipi të arrijë sa më lartë me golat dhe paraqitjen time. Besoj pjesa tjetër do ngelet ta tregoj në fushë. Ishte ditë e lodhshme sot, sepse rruga ishte e gjatë, testimet, ardhja në klub, vizitat mjekësore në One Hospital, kthimi pastaj. Gjithsesi u bë për një qëllim të mirë, prandaj e mora me pozitivitet dhe u kënaqa. Kush si njeh ‘Ballistët’!? Edhe kur kam pa Shkëndijën, por edhe kombëtaren i kam ndjek dhe kam pa atë frymëzimin si një dëshirë që një ditë të luaj për klubin për të cilin ata bënin tifo. Shpresoj që sa më shpejtë kjo periudha e pandemisë që të kthehen tifozët në stadium, të na mbështesin dhe të na japin atë ndjenjën e ‘lojtarit të 12-të’. Për titullin? Besoj shumë, sepse Shkëndija ka disa vite që është në majat e futbollit në Maqedoni dhe kam shumë besim që do arrijmë objektivat e klubit.”

Ishte kjo deklarata e parë e Rubin Hebaj si futbollist i Shkëndisë së Tetovës, ndërkohë që portali Veriu Sport i uron suksese shkodranit të talentuar në karrierën e tij sportive, tashmë me ekipin e ri tetovar.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img