Vllaznia kërkon që ta formatojë ekipin për sezonin e ri, që në muajin qershor dhe kuqeblutë duken aktivë në merkato. Deri tani, shkodranët kanë zyrtarizuar afrimet e Krujës, Hakajt dhe Kuros, e ndërsa shumë afër zyrtarizimit është edhe Artan Jazxhi.
Por, shkodranët duket se nuk do të ndalen me kaq për sa u përket përforcimeve në mbrojtje. Emri i fundit që ka dalë në “skenë” sipas asaj çfarë mëson “Panorama Sport” që mund t’u bashkohet 9 herë kampionëve është edhe Mevlan Adili. Shkupjani e ka mbyllur aventurën e tij me Shkëndijën e Tetovës dhe rinovimi duket se nuk do ndodhë mes 31-vjeçarit dhe klubit kuqezi. Në këtë mënyrë, Vllaznia duket se kërkon të “përfitojë” nga situata dhe të riafrojë në gjirin e saj një prej futbollistëve shumë të dashur nga tifozëria shkodrane. Edhe vetë, Adili duket se e pëlqen një lëvizje të tillë, duke qenë se njihet edhe si një tifoz i kuqebluve.
Pavarësisht se për momentin ende s’ka diçka konkrete, emri i Adilit po lakohet shumë si një afrim i mundshëm në Shkodër. Më parë, qendërmbrojtësi ka qenë pjesë e Vllaznisë në sezonet 2019-‘20, 2020-‘21 dhe 2021-‘22, duke fituar edhe dy herë Kupën e Shqipërisë me kuqeblutë në sezonet 2020-‘21 dhe 2021-‘22.
JURIÇ – Duhej të ishte ndoshta i larguari i parë zyrtar nga Vllaznia, por diçka e tillë ende nuk është konfirmuar nga klubi apo lojtari. Fjala është për Marko Juriç, mbrojtësin kroat, i cili në 3 sezonet e fundit ka qenë pjesë, por që nuk u aktivizua thuajse asnjë minutë në pjesën e dytë të sezonit 2024-‘25.
Duke qenë në një farë mënyrë “i përjashtuar” nga skuadra, pavarësisht se kontrata e lidhte me klubin kuqeblu deri në fundin e këtij edicioni. Megjithatë, një zyrtarizim për largimin e tij ende po mungon, megjithëse gjithçka mund të konsiderohet e përfunduar mes 9 herë kampionëve të vendit dhe shtatlartit. Një situatë konfuze po ashtu ka edhe për mbrojtësin tjetër, Melos Bajrami. Ish-futbollisti i Skënderbeut ishte një lojtar goxha stabël gjatë edicionit të shkuar, duke zhvilluar 29 ndeshje në kampionat e madje duke shënuar edhe 2 gola. Por, edhe e ardhmja e 23- vjeçarit duket se nuk do të jetë në Shkodër.
Kontaktet për një rinovim të mundshëm midis drejtuesve të klubit shkodran dhe kosovarit kanë munguar. Duke lënë të nënkuptohet se edhe mëngjarashi nuk është në planet e stafit për sezonin 2025-‘26. Në këtë mënyrë, reparti i prapavijës te Vllaznia duket se do të riformatohet totalisht, ku pas largimit të Stojanoviç tashmë radhën do ta kenë edhe Juriç e Bajrami.
Endri ÇINARI