Ashtu siç ishte paralajmërtuar më herët, Vllaznia do të luajë sot miqësoren e radhës në kuadrin e përgatitjeve për startin e sezonit të ri futbollistik, i cili sipas njoftimit të FSHF-së, nis me 19 gusht.
Miqësorja e sotme, e dyta pas mbylljes së konkurimit në Conference League do jetë përballë skuadrës ulqinake, Otrant Olimpik dhe luhet në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 19:00. Një test ky që pritet t’i shërbejë stafit teknik me në krye trajnerin Memelli për të testuar lojtarët kandidatë për një vend në formacionin e parë.
Përballja e mesjavës së kaluar me Laçin po në “Loro Boriçi” u mbyll me fitoren e kurbinasve me rezultatin 2 me 3. Ndeshje kjo, që krahas të tjerave shfaqi disa probleme për formacionin kuqeblu, sidomos me mungesen e kapitenit Hakaj për arsye dëmtimi, gjë që solli shqetësim për trajnerin Memelli në lidhje me mungesen e një alternative serioze për dublimin e Hakajt.
Gjithësesi, duhet parë sesi do të rreshtohet ekipi sot në përballjen ndaj Otrant të Ulqinit, jo vetem për repartin e prapavijës, por edhe në repartet e tjerë, për të cilën ka pasur edhe ndonjë dilemë për stafin.