Do të jetë një arbitër maltez që do të vendosë drejtësi në ndeshjen miqësore të së shtunës mes Spanjës dhe Shqipërisë. Bëhet fjalë për arbitrin Trustin Farrugia, i cili është përzgjedhur nga komisioni i arbitrimit të UEFA-s për të drejtuar sfidën e Barcelonës ku Shqipëria do të përballet për herë të shtatë me kombëtaren iberike. 37 vjecari është një nga arbitrat me më shumë eksperiencë në Maltë ndërsa si profesion të dytë ka atë të inxhinierit. E ka marrë stemën e FIFA-s që prej vitit 2015 dhe gjatë viteve të fundit, karriera e tij ka ardhur në rritje.
Gjatë këtij sezoni, në Europë ai ka drejtuar kryesisht ndeshje në Ligën e Konferencës, e fundit në muajin dhjetor mes AZ Alkmaar dhe Randers. Për shqiptarët ai nuk është një emër i panjohur pasi në nivel kombëtaresh, ndeshja e fundit ku ka vendosur drejtësi ishte ajo e shpresave të Kosovës dhe Shqipërisë e luajtur në 16 nëntor të vitit të kaluar. Ndeshja do të luhet të shtunën në orën 19:45 në stadiumin e skuadrës së Espanyol “Cornelia El Prat” me kapacitet 40 mijë vende.
Bëhet fjalë për një impiant modern të rikonstruktuar tërësisht gjatë viteve të fundit. Në sektorin mik ku janë parashikuar 2 mijë vende të lira, ka ende bileta në shitje ndërsa stadiumi do të jetë pothuajse tërësisht i mbushur për sfidën kundër kuqeznjve. Spanja rikthehet të luajë në qytetin e Barcelonës pas 18 viteve mungesë dhe është pikërisht Shqipëria që rikthen ish kampionët e botës në kryeqëndrën katalanase.