Maltë U19-Shqipëri U19 0-2
(Shënues: Gent Elezaj 12’, Ardit Nuredini 81’)
Formacioni i Shqipërisë U19: Tomas Kiri (GK), Lindon Ajeti, Elton Fikaj, Ervin Bashi, Ardit Nuredini, Arlind Kurti (C), Erald Krasniqi, Gent Elezaj, Smail Kadrijaj, Lorent Talla dhe Skerdi Xhixho. Trajner: Armando Cungu
Kombëtarja shqiptare U-19 triumfoi me rezultatin 2-0 ndaj Maltës, në ndeshjen e parë miqësore të planifikuar për këtë muaj kundër përfaëqësueses malteze. Në ndeshjen e zhvilluar në Maltë, djemtë kuqëzinj të drejtuar nga trajneri Armando Cungu bënë një paraqitje shumë të mirë, çka e tregon edhe rezultati final i këtij takimi të parë miqësor. Golat e fitores u shënuan nga Gent Elezaj dhe Ardit Nuredini, ndërkohë që në këtë sfidë u aktivizuan të gjithë lojtarët e grumbulluar për këto dy ndeshje.
Shqipëria e nisi ndeshjen me këtë formacion: Tomas Kiri (GK), Lindon Ajeti, Elton Fikaj, Ervin Bashi, Ardit Nuredini, Arlind Kurti (C), Erald Krasniqi, Gent Elezaj, Smail Kadrijaj, Lorent Talla dhe Skerdi Xhixho.
Takimi nis i balancuar nga të dyja skuadrat, teksa kuqezinjtë janë më kërkues dhe qarkullojnë mirë topin. Rasti i parë për djemtë e drejtuar nga Armando Cungu ishte pikërisht në minutën e 12-të, me Gent Elezaj, i cili merr bukur një top brenda zonës kundërshtare, kthehet dhe gjuan fort, me lojtarin maltez që devijon topin në rrjetë. Kuqezinjtë tentojnë dhe krijojnë edhe disa raste të tjera në këtë pjesë të parë, por gjithçka mbyllet me rezultatin 1-0.
Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Cungu vendos të bëjë plot 7 zëvendësime në skuadrën e tij, duke i testuar të gjithë lojtarët e grumbulluar për këto miqësore. Djemtë e drejtuar nga Armando Cungu krijojnë disa raste të pastra shënimi, por nuk finalizojnë. Por, në minutën e 81-të, Ardit Nuredini gjen rastin më të mirë dhe dyfishon shifrat për Shqipërinë U-19, pas një goditje të bukur nga jashtë zone, duke i çuar shifrat në 2-0, që është edhe rezultati final i ndeshjes.
Miqësorja e dytë ndaj Maltës është planifikuar të luhet 3 ditë më pas, më 26 mars në ora 11:00. Miqësoret ndaj Maltës shihen si shumë të rëndësishme nga stafi i ekipit kombëtar U-19, për të konsoliduar grupin dhe për të testuar lojtarët të rinj që vijnë në kombëtaren U-19.