Ish notari kampion i Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare, Gjon Shyti, i cili vazhdoi me shumë karriren sportive në Itali dhe së fundmi duke qënë trajneri kryesor i kombëtares së Turqisë në not, është nderuar mbrëmjen e sotme nga Bashkia Shkodër, me titullin, “Mirënjohje”.
Titullin në fjalë ia ka dorëzuar kreu i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, i cili ka rezervuar një pritje të ngrohtë dhe miqësore për vetë kampionin Shyti, si dhe kolegët e tij të notit shkodran dhe të afërmit e tij.
“Gjon Shyti është ish trajneri im. Notari dhe trajneri që ka njohur suksese ndërkombëtare të njëpasnjëshme. Ai sot është ambasador i Shkodrës dhe Shqipërisë në botë. “Mirënjohja” për kontributin që ka dhënë dhe jep në këtë sport është më e pakta që mund të bëjmë për të tilla personalitete. Gjon Shyti fillimisht në Itali dhe sot me kombëtaren e Turqisë, numëron rekorde titujsh dhe vlerësimesh në botë.
Shkodra ka një traditë por ka edhe modele që frymëzojnë në çdo kohë. Po punojmë që në këto gjurmë të ecin edhe brezi i ri. Noti do të ketë shumë shpejt një pishinë të standarteve për ekipet e Vllaznisë, që nuk rreshtin se na bëri krenar.”, shkruan pas takimit, kryebashkiaku shkodran, Bardh Spahia.