Momentet më pikante të takimit, Vllaznia-Dinamo

* Pas më shumë se një muaji punime për rimbjelljen e barit të fushës së stadiumit, ndeshja Vllaznia-Dinamo ishte e para që u luajt në “Loro Boriçi”, duke e inauguruar me plot nëntë gola.

* Numri i tifozëve shkoi rreth 3000, edhe pse të shumtë ishin ata që ankoheshin për çmimet e biletave. Edhe nga kryeqyteti kishin udhëtuar për të ndjekur Dinamon një grup prej 50 tifozësh. Grupimi i tyre, “Blue Boys” është dëgjuar shumë pas shënimit të golit të parë.

* Ultrasit e Vllaznisë i kishin bërë një surprizë mbrojtësit të majtë shkodran, Ersin Hakaj, duke shpalosur një banderolë në të cilën shkruhej: “Hakaj! Linja e përpunimit të golave. Kur kundërshtarët të harrojnë, ne tifozët të kujtojmë”.

* Fallou Dianje shënoi golin e parë me Vllazninë dhe festoi në një mënyrë krejt origjinale. Ndërsa sulmuesi maqedonas, Gjurgjeviç, e feston golin me punonjësit e tjerë të klubit që ishin pas pankinës mike.

* Në tribunën qendrore ka pasur shumë ngacmime nga tifozët për kampin dinamovit. Ata e kanë cilësuar skuadrën e policisë, ndërsa kanë bërë një batutë për daullen që kishin marrë me vete: “Daulles i kanë ra përherë mirë…”. Ndërsa një tjetër me shumë humor shprehet se “shkopinjtë i kanë përdorë më mirë”.

* Në minutën e 60-të, Brdariç dhe Plori komunikojnë me Hakajn duke i kërkuar kujdes në prapavijë dhe sa më shumë vertikalizime për Aralicën.

* Nuk ka pushuar për asnjë moment së punuari me lojtarët e stolit përgatitësi atletik, bullgari i Vllaznisë, Mihail Tzokov. Po ashtu edhe italiani Daniele Nervi te Dinamo.

* Tension në shkallët e stadiumit në minutën e 73-të pas shënimit të golit të tretë të Dinamos. Lojtarët shkodranë dhe tifozëria pretendonin një faull ndaj Heriçit, që më pas largohet me barelë nga fusha e lojës. Në këtë moment boshnjaku merr duartrokitjet e tifozëve, ashtu si edhe vlonjati Ardit Hoxhaj që e zëvendësoi.

* Në minutën e 79-të kishte dy topa në fushë, por loja nuk u ndal nga ana e gjyqtarit.

* Supergoli i Fjoart Jonuzit ka shfrenuar atmosferën në shkallët e stadiumit dhe pankinën e Vllaznisë. Të gjithë në delir, madje Tomas Brdariç u fut në fushë dhe festoi si i çmendur me mesfushorin.

* Eni Imami dhe Aleksandar Isaevski u rikthyen si kundërshtarë në Shkodër. I pari bëri një gjest fisnik pas ndeshjes duke iu dhuruar fanellën tifozëve shkodranë, teksa konfirmoi respektin ndaj tyre.

 * Liridon Latifi priti disa minuta pas ndeshjes të takonte trajnerin e Dinamos, Bledi Shkëmbi, me të cilin kanë qenë së bashku te Skënderbeu. Një takim i përzemërt, e më pas me lojtarin që ia hipi një monopatine dhe zgjodhi të shkonte me atë drejt banesës së tij në mbrëmje.

Admir Uruçi

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu