Skënderbeu mposhti Laçin në tranfsertë me shifrat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 33-të të Superiores. Në përfundimin e takimit, trajneri i kurbinasve Francesco Moriero doli në prononcim për mediat.
“Kemi bërë ndeshjen për ta fituar, ishte ndeshje delikate. Por kohët e fundit, pësojmë gol me gjysmë gjuajtje në portë. Më vjen keq për djemtë, klubin, por duhet vetëm të luftojmë, të mundohemi të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundshme në këto ndeshje.
Jemi munduar të përshtatemi me kushtet, u munduam shumë herë që të çonim lart mbrojtjen dhe të luanim me top të gjatë. Sinqerisht nuk di ta shpjegoj, se rrallë më ka ndodhur një gjë e tillë, është e vështirë ta shpjegosh taktikisht, sepse kemi bërë gjthçka për të fituar ndeshjen. Me një gjysmë gjuajtje në portë pësuam gol, edhe si ndodh në ndeshjet e fundit, e komplikojmë vete jetën tonë. Kam pak fjalë për të përshkruar trishtimin tim, por do të ecim përpara.
Po ta kisha zgjidhjen, do ta kisha zgjidhur. Duhet të punosh në disa situata në mënyrë individuale, të punoj 24 orë në 24 me djemtë nuk mund të bëhet. Pastaj janë episodet që bëjnë diferencën si në favor, ashtu edhe kundër. Por ky nuk është alibi, por në ndeshjet e fundit kemi pësuar gjithmonë shumë pak lojën dhe nuk kemi arritur të marrim rezultat pozitiv”, tha Moriero për RTSH pas ndeshjes.